Rama harroi detyrën dhe ëndërroi në Kosovë
Në një Intervistë ekskluzive për Top Channel, kryeministri Edi Rama ka sqaruar deklaratën e bërë prej tij në ditën e Pavarësisë së Kosovës për një President të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një deklaratë që ka shkaktuar shumë debate.
Rama thotë se ajo çfarë deklaroi në Prishtinë nuk ishte një projekt, por një fantazi dhe imagjinatë e tij sesi duhet të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve pas 10 viteve.
“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Deklarata e Ramës për president të përbashkët Shqipëri-Kosovë u bë të dielën në sallën e Kuvendit të Kosovës, në ceremoninë zyrtare të 10-vjetorit që ndiqej nga ambasadorët e vendeve të BE, SHBA dhe dhjetëra media ndërkombëtare. Rama u ftua të fliste si Kryeministër i Shqipërisë dhe jo si orakull apo shpjegues ëndrrash.
Reagimet e para për deklaratën erdhën pak pas fjalimit. Ndërkohë kryeministrit ju deshën më shumë se dy ditë për të deklaruar se në Prishtinë kishte lëshuar pak më shumë sesa duhej fantazinë.
Pasi bëri gjullurdinë sot thotë se e kanë keqkuptuar. Në fakt Rama është detyruar ta kthejë këtë deklaratë në një histori imagjinate, duke parë dhe reagimet e shumta që ka sjellë.
KOHA JONË SONDAZH

