Rama mbledh të rinjtë pak metra larg çadrës së PD: Mundësi për punë ka, por duhet t’i shikoni
Disa metra larg çadrës së protestës, Partia Socialiste ka mbledhur në një takim të rinj që punojnë, që bëjnë biznes apo që aktivizohen si qytetarë. Këtë e ka përcjellë vetë kryeministri Rama Live në rrjetin social “Facebook”.
“ERTV Live?: Me të reja e të rinj që punojnë, bëjnë biznes, aktivizohen si qytetarë?”, shkruan kryeministri Rama.
Përpara të rinjve të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”, Elisa Spiropali, Sekretarja për Rininë në PS, tha se zgjedhjet e 18 qershorit përcaktojnë fatin e Shqipërisë për gjeneratën e ardhshme.
Sakaq, kreu i PS, Edi Rama përpara sloganit të kësaj fushate zgjedhore “Për Shqipërinë që duam”, është ndalur tek mundësitë që ofron vendi ynë për punësimin e të rinjve.
“Sot në Shqipëri ka shumë vajza e djem që nuk ankohen, nuk qahen, nuk mallkojnë, por që përpiqen. Ka shumë të rinj në këtë vend që punojnë. Mundësinë për të jetuar me pasionin e punës, çdo njeri e ka përpara syve, por jo të gjithë e shohin. Shqipëria që kemi është shumë më e mirë se ajo që kishim. Sot ka shumë më tepër gjera sesa Shqipëria që duan të na tregojnë përmes pasqyrave të gënjeshtërta të katundit mediatik të Tiranës. Në Shqipërinë që kemi sot, ka vajza dhe djem që ëndërrojnë të bëhen milionerë. Kam takuar disa prej tyre dje”, tha Rama.
Kryeministri Rama u ndal tek puna e bërë nga qeveria që ai drejton në këto 3 vite e gjysmë. Sakaq, ai ka shprehur angazhimin për të vijuar me projektet dhe reformat që mundësojnë zhvillimin e vendit.
“Në këto 3 vite e gjysmë ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli, por kemi provuar se ky vend është si gjithë të tjerët, se ky vend mund të bëhet shtet, se në këtë vend mund të ketë punë për të gjithë ata që duan të punojnë. Nëse shohim sot këdo në sy, askujt nuk mund t’i themi ‘lum si ti, se ja votove për ne e të gjitha problemet e tua u zgjidhën’. Por mund t’u themi ‘ktheheni kokën prapa, tek Shqipëria që kishim, dhe pastaj bëni dallimin me ketë që kemi sot’. Edhe pse ajo që kemi bërë nuk mjafton, tregon se ne kemi mundësinë ta bëjmë Shqipërinë që duam”, tha Rama.
Kreu i PS ka akuzuar edhe kryedemorkatin Basha, se ky i fundit nuk e do punën. Më tej është ndalur në punën që është bërë në sektorin e shëndetësisë dhe atë arsimor.
“Duhet Lali Eri dhe jo xhaxhi Luli për ta bërë këtë. Se Luli do gjumë, Eri punë. Dhe kur zgjohet Luli fillon bërtet. Se i prishën gjumin. Mes Shqipërisë që kishim dhe Shqipërisë që duam, jemi ne që kemi dhënë provën për Shqipërinë që kemi. QSUT nuk është spitali i Shqipërisë që duam, por i Shqipërisë që kemi. Kjo mjafton të bindemi se nëse arritëm të bëjmë ndryshim të pakrahasueshëm me atë që kishim, askush si ne nuk mund ta bëjë ashtu siç e duam për Shqipërinë që kemi. Po kështu bëmë edhe reformim të sistemit arsimor. Sot çdo mësues jep lëndë të profilit të tij. E megjithatë ka ende shumë për të bërë që mësuesit të jenë në gjendje që t’i përcjellin me të gjithë kompetencën dituritë e teksteve të reja. Ishin tekste ku në ca Drini quhej i bardhë, e te ca të tjera i zi. Apo te ca ishte Prespa e madhe, e te ca e vogël. Apo për një klasë datat e çlirimit ishte në 28 nëntor, te një tjetër në 29 nëntor, e në disa lihej e hapur në 28 e 29 nëntor. Por Shqipëria që duam nuk është Shqipëria që kishim. Sot ka ndryshuar cilësia e shkollimit, cilësia e praktikës është në standarde europiane”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

