Rama sulmon Berishën dhe Metën: Akuzat me serbë e kinezë, prodhime të një tërbimi non-gratash dhe spiunësh
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se është fakt i provuar dhe nga CIA amerikane që kanë marrë para nga Rusia për të rrëzuar qeverinë e PS.
“Së pari nuk kam qenë asnjëherë dakord dhe s’kam për të qenë kurrë dakord me këtë shenjën e barazisë. Mund ta vendosni shenjën e barazisë sa herë të dëshironi, por kjo është puna juaj. “Ka pasur akuza, ju për ata dhe ata për ju” besoj se nuk është vështirësi e madhe të bëhet dallimi mes komentit të një fakti dhe akuzave pa fakte. PD është financuar me para ruse gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar PS, nuk është akuzë, por fakt. Ky është një fakt i dokumentuar për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, nga media ndërkombëtare, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu dhe nga media kombëtare, dhe i konfirmuar nga Shërbimi Sekret Amerikan, CIA. Akuzat me serbë dhe s’e di me çfarë tjetër, janë prodhime të një tërbimi të madh, një tërbim non-gratash dhe spiunësh për një çështje kryesore në rajon për një investim që duhet të jetë krenari kombëtare. Të ngresh akuza të tilla në hava, është fatkeqësi kombëtare. Ne kemi bërë zgjedhjen. Nuk lë rast pa lartësuar emrin e shqiptarëve dhe Shqipërisë kur flas në gjuhë të huaj, por non-gratat e turpërojnë emrin e Shqipërisë sa hapin gojën dhe me emrin e tyre. S’ka gjë më shumë për të ardhur keq, saqë mediat reflektojnë këtë deformim pa asnjë kontribut. Unë mund t’ju akuzoj të gjithëve për bashkëpunëtorë me djallin, por kjo mbetet akuzë në hava. Ndaj nuk është detyra juaj të që të provoni këtë, por e imja. Kjo është vendosur që në kohën e Romës. Shqiptarët ushqehen me dokrra dhe dëngla. Është barra e atij që akuzon që të provojë akuzën dhe jo barra e atij që akuzohet, që të provojë se akuza është e vërtetë. Cilët serbë, cilët kinezë? Cilët?! PD është financuar me para ruse, ky është fakt.
Është në më shumë se dy burime, të cilët duhet të jenë bibla dhe kurani juaj”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

