Rama takim me gratë dhe vajzat në Kamëz: Ne 11 majit vota për Shqipërinë në BE, ose me bufin në kënetë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot gjatë një takimi me gratë e vajzat e Kamzës se zgjedhja e qytetarëve në 11 maj nuk është vetëm një zgjedhje që punët e mira të shkojnë përpara, investimet në kopshte dhe çerdhe, por një zgjedhje për historinë që fati e ka sjellë në derë.

Kryetari i PS-së, u shpreh nga ky takim në Kamëz se kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu, profeti i historisë kombëtare i vuri gjoksin perëndimit, ai bëri zgjedhjen profetike për të gjithë ne që të shikojmë andej, nga rilindasit shkruan “dielli lind aty ku perëndon”, në Evropë. “S’kishte BE atëherë, as kur u ndamë nga perandoria dhe vendosëm të shihnim nga Evropa, s’kishte BE as më vonë, dhe ne shqiptarët, ne populli nuk e patëm kurrë mundësinë të bënim zgjedhjen tonë deri me rënien e regjimit komunist. Shikoni sa shumë u vonuam, si në Kamëz, nëpër kanale, e nëpër llum, duke renduar mbas berihait”, tha Rama, ndërsa u ndal te një takim i Kryetarit të PD-së në Kamëz pak ditë më parë, që u thoshte qytetarëve se do t’ja merrte paratë popullit, për t’jua kthyer më pas.

“E vërtetë, ka eksperiencë. E provuan njëherë duke shkuar mbas bufit, ço para te Sudja për të marrë para dhe morën Noc Rrokun në mënyrën më të dhimbshme. Për bufin dhe kënetën e tij, Kamza dhe Shqipëria në 11 maj do të kenë Noc Rrokun, jo votën. E tmerrshme ta imagjinosh që në 11 maj shqiptarët duhet akoma të vënë në diskutim se do zgjedhin mes interesit të një populli të tërë, apo hallit të një bufi të vetëm. Midis të mirës së përbashkët të të gjithë shqiptarëve pa dallim përtej të majtës së djathtës, blusë, rozës, apo do zgjedhin për interesin e një shtëpie të vetme. Do zgjedhin Shqipërinë me BE-në në Evropë, apo me bufin dhe kënetën në gropë. Është e paimagjinueshme si mund të vihet në diskutim kjo”, vijoi Rama.

Rama solli në vëmendje, nga ky takim me gratë dhe vajzat në Kamëz, se një prej teorive që qarkullon është se 12 vjet, nuk e çoi Shqipërinë në BE, por kërkon dhe një mandat tjetër për ta realizuar këtë. Kryetari PS-së nënvizoi faktin se vendi ynë i ka hapur negociatat vitin e kaluar dhe kjo është një arritje historike në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke risjellë në vëmendje faktin që Mali i Zi i ka hapur negociatat në vitin 2012 përpara se PS të vinte në qeveri dhe ende nuk është vend anëtar i familjes evropiane, Serbia që i ka hapur në vitin 2014 kur Shqipëria akoma nuk ishte bërë vend kandidat, apo Maqedonia që në vitin 2005 ka çelur negociatat dhe akoma nuk është pjesë e BE-së.

Sipas Ramës, BE nuk funksionon vetëm se çfarë bën ti, por edhe çfarë interesi ka BE. “Dhe sot, pse çfarë ne kemi bërë, por jo sot prej 30 vjetësh, por prej 500 vjetësh ne duam të bëhemi pjesë e Evropës përputhet me atë që do BE. Prandaj, BE na ka vënë në tavolinë afatin e vitit 2027 që të bëhemi pjesë. Mund ta humbim neve këtë shans? Kjo nuk mund të ndodhë! Ky është momenti kur ne duhet të bëjmë atë që bënë shqiptarët në 92’. PD në atë kohë, s’ishte bërë kënetë akoma, por mori mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar. Nuk ishin me PD të gjithë ata që votuan, pasi në verë kur u bënë zgjedhjet lokale, shumica votoi kundër PD-së”, pohoi ai.

“Në mars të 92’ shqiptarët morën vendimin e duhur për tu ndarë përfundimisht, me të shkuarën dhe për të mbyllur kapitullin e një sistemi që populli e rrëzoi dhe më pas e vulosi me votë”, nënvizoi Rama, ndërsa pohoi se në 11 maj është e njëjta gjë. Sipas Ramës, është e koha e duhur, në vendin e duhur dhe ka vetëm një forcë ku shqiptarët mund të bashkojnë votën jo për PS, as për qeverinë apo disa deputetë dhe as për një shumicë aritmetike sipas Kryetarit të PS-së, por për diçka shumë më të madhe”, vijoi Rama.

Kryetari i PS-së deklaroi nga takimi në Kamëz se me 11 maji duhet vota për PS “për të bërë një shumicë që të garantojë që negociatat nuk merren peng nga asnjë buf, nga asnjë kukumjaçkë, nga asnjë lloj insekti dhe për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë vendeve të BE-së, që po e ndjekin fushatën tonë, po ndjekin zgjedhjet dhe po presin rezultatin për të parë që shqiptarët kanë një shumicë përtej partive që e do BE-në. Janë 99% e shqiptarëve që duan të shkojnë në Evropë”.

SHKARKO APP