Ruçi me studentë nga Peja: Reforma në drejtësi, zgjidh problemet (FOTO)
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mirëpriti në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë një grup studentësh nga Universiteti “Haxhi Zeka” i Pejës, përfaqësues të Unionit Studentor me të njëjtin emër.
Duke përshëndetur të rinjtë e pranishëm në Sallën e Seancave Plenare, Ruçi vuri në dukje se historia e parlamentarizmit në Shqipëri prej fillesave të saj është e lidhur ngushtë me zhvillimin e shtetit shqiptar dhe përballjen e sfidave të kohës, që prej fillesës së saj e deri në ditët e sotme.
Në këtë komunikim me studentët, Kryetari i Kuvendit, në mënyrë të përmbledhur i njohu studentët funksionet kryesore të Kuvendit, atë ligjvënës, kontrollues, zgjedhës dhe përfaqësues dhe me rregullat dhe procedurat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në vijim, mes Kryetarit të Kuvendit dhe studentëve u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, gjatë së cilit z. Ruçi iu përgjigj interesimit të vizitorëve. Një ndër çështjet ku studentët drejtuan pyetje ishte dhe zbatimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, për të cilën Kryetari i Kuvendit u shpreh se Reforma në Drejtësi ka qenë një përpjekje më shumë se dyvjeçare, është reforma më e madhe, më e plotë, më e rëndësishme për dhënien zgjidhje të problemeve me drejtësinë në vend, është reforma e cila ka filluar të ketë arritjet e saj, duke filluar me miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, me ngritjen e organeve të Vettingut dhe me nisjen e tyre nga puna.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje tre efekte kryesore të këtij procesi. “Efekti i parë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë nisur të pyesin veten, janë apo s’janë për prokurorë. Efekti i dytë, 17 gjyqtarë dhe prokurorë deri më sot kanë deklaruar që refuzojnë t’i nënshtrohen vetingut.
Kjo është me sanksion: nuk kalojnë në Vetting, por për 15 vjet nuk kanë të drejtë të punojnë në organet e drejtësisë. Ka pasur kërkesa të tilla, që nga ish-prokurori i Përgjithshëm, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. E treta, është që organet e veting-ut po punojnë dhe ne presim rezultate pas përfundimit të këtij procesi, që do të zhvillojnë për gjithë trupën e gjyqësorit dhe prokurorisë”.
Biseda mes të rinjve dhe Kryetarit të Kuvendit vijoi me çështje që i takojnë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rrugës së tyre integruese drejt Bashkimit Europian. Kryetari i Kuvendit u shpreh besimplotë për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët integruese dhe vuri në dukje se roli konstruktiv dhe stabilizues i shqiptarëve në rajon do të jetë nxitës për bashkëpunimin rajonal në mbështetje të këtij procesi për të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

KOHA JONË SONDAZH

