Sekretari i shkarkuar i Konsullatës në Selanik, mesazh Cakajt: Je një çunak që nuk kupton, por një gjë nuk t’a fal!
Nga Gëzim Hashimi –
Artur Porpollogu, Sekretar i Parë në Konsullatën Shqiptare në Selanik është liruar nga detyra, si pjesë e asaj që ministri në detyrë, Gent Cakaj e cilëson reformë në shërbimin diplomatik. Në një përgjigje për z. Cakaj, Propollogu apelon për shkarkimin, sipas tij, të padrejtë nga funksioni që ushtronte, duke renditur një sërë arsyesh që vënë në diskutim kriteret që ka përdorur zv/ministri për largimin e diplomatëve nga detyra.
Artur Porpollogu është një emër njohur në komunitetin e shqiptarëve në Greqi, por edhe strukturat e së majtës. Ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste, i diskutuar së fundi edhe si një kandidaturë potenciale e kësaj partie për bashkinë e Devollit, Propollogu është një nga njerëzit që ka punuar më shumë për angazhimin e emigrantëve shqiptarë edhe në zhvillime politike në Shqipëri dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike gjatë fushatave elektorale. Në vijim mund të lexoni reagimin e Sekretarit të parë të Konsullatës Shqiptare në Selanik, tashmë i shkarkuar. Ja se çfarë përjeton si prind së pari, dhe si zyrtar Artur Porpollogu.
***
Ministrit me atribute Ministër i Jashtëm i Republikës të Shqipërisë.
Në mungesë të reagimit tuaj kundrejt kërkesës/observacionit tim, e quaj plotësisht të moralshme dhe të drejtë që mesazhi im të bëhet i drejtpërdrejtë dhe për publikun. Nuk do ndalem shumë tek Arroganca juaj e pakuptimtë, e menjëhershme dha pa asnjë argument të lirimit tim nga detyra sesa më pas për mosreagim dhe injorim total ndaj kërkesës time për ti dhënë mundësinë djalit tim Enso Porpollogu të mbarojë klasën e dytë të gjimnazit këtu në Selanik, Greqi. Sa për sqarim, Enso Porpollogu është nxënës në vitin e dytë në (Trito Gjimnasio) në Kalamaria, Selanik.
Sa e drejtë, sa njerëzore, sa normale është që djalit tim 16 vjeç ti digjet viti shkollor (urdhri i lirimit tim nga detyra shënon dt 30/04/2019?).
Më 1 Maj ai do duhet të lërë Greqinë, por dhe nuk do ketë asnjë të ardhur ekonomike pasi babai i tij, Artur Porpollogu i cili për 4 vjet e gjysmë ka punuar Konsull me gradën sekretar i parë në Konsullatën e RSH, në Selanik, Greqi, por me një te rënë të lapsit tënd ngelet i papunë dhe i pastrehe, jo në Shqipëri, por në një vend të huaj.
Shumë bukur i thur fjalët, dhe shumë bukur mbrojte veten duke i treguar botës se ke 28 vite refugjat, por me mua, dhe sidomos me djalin tim veprove dhe provove sikur të mos kesh qenë asnjë ditë i tillë. Para se të merrje vendimin tënd arbitrar duhej të pyesje. Mësoje pra se unë kam refugjat po kaq vite sa ti ke vitet e jetës! Nuk e di ku ishe ti, por unë gjatë gjithë kësaj periudhe kam punuar me djersën e ballit dhe me nder! Kam qenë në mes dhe me komunitetin e emigrantëve, të të gjithëve pa përjashtim. Nuk e di ku ishe ti, por në 2009 dhe 2013 isha në rreshtin e parë të përpjekjeve dhe me kontributin maksimal nga kursimet e mija prej emigranti, që me ndryshimin e ekzekutivit ne Shqipëri të ndryshonte situata edhe në përfaqësimin tonë diplomatik ne vendin ku unë punoja dhe jetoja, ndaj u ndjeva i vlerësuar kur më ngarkuan detyrën, përmes të cilës do kontribuoja në zgjidhjen e problemeve të cilat jo vetëm që i njihja, por i kisha përjetuar në kurrizin tim. Jam krenar që dhe unë kontribuova sadopak në arritjet e padiskutueshme që u bënë në 5 vitet e fundit në shërbimin tonë konsullor kudo në botë.
Që prej ditës së parë në detyrë dhe deri ditën kur Ju më liruat nga detyra kam përmbushur më së miri dhe në mënyrën më drejtë standardet të cilat do duhet të këtë çdokush që merr përsipër të përfaqësojë Shqipërinë si diplomat në një vend të huaj. Kam performuar absolutisht në mënyrën më të mirë duke pritur e shërbyer çdo qytetari shqiptar i cili është drejtuar në sportetelet e Konsullatës Shqiptare në Selanik. Meqë e keni provuar të qënit për shume vite refugjat duhet të keni provuar se aty humbet çdo nocion i militantizmit apo qëndrimit partiak, pasi me bashkatdhetarët në dhe të huaj asgjë nuk na ndan, por veç na bashkon. Për punën dhe performancën time ju duhej tu referoheshit vlerësimeve të drejtuesit të përfaqësisë diplomatike, përfundimet e nxjerra nga auditimet e ndryshme, si dhe mesazheve të vetë qytetarëve që jetojnë e punojnë në Greqi. Kur ju drejtova kërkesën time mëse të drejtë isha i bindur që nuk do ndryshonte asgjë, pasi ti je një djalë i ri dhe nuk mund të kuptosh se çdo të thotë ti privosh prindit të drejtën e punës, dhe aq më tepër në kontributin për vendin e tij dhe për pasojë të vështirësosh dhe rrezikosh direkt të ardhmen e fëmijës tij.
Unë nuk të lutem ty, jo vetëm për faktin dhe arsyen e vetme se për diçka që të takon duhet të luftosh që ta fitosh, por edhe për faktin se fatkeqësisht ky është realiteti shqiptar, një realitet ku besimi dhe shpresa lindur nga idealet përfundojnë si një flluskë sapuni e keqpërdoren vetëm për interesa personale.
Ju kuptoj dhe fal çdo gjë, qoftë dhe llumin që hodhët mbi mua, anonçimin skandaloz të emrave tanë në media, ashtu si dhe papërgjegjshmërinë tuaj për të lënë vakantë dy përfaqësitë tona këtu në Greqi ku kanë dyndjen më të madhe të emigrantëve. Por jo vetëm, një gjë nuk ju a fal dhe do luftoj në mënyrën më të mundshme ligjore, por edhe atë morale për të qetësuar sadopak shpirtin e trazuar të djalit tim 16 vjeçar, që nesër ky akti juaj i paprecedentë të mos përsëritet më kurrë. Nëse jeni sadopak i vërtetë në atë ç’ka pohuat mbi shijen e hidhur të jetës tuaj fëminore gjatë luftës në Kosovë, më thoni ju lutem çfarë shije po lini ju në kujtesën e këtij 16 vjeçari kur për dy muaj po largoni nga bankat e shkollës?
KOHA JONË SONDAZH

