Shqipëra e Kosova, ambasada të përbashkëta në Afrikë dhe Azi. Formohet një Sekretariat për realizimin e marrëveshjeve mes tyre
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka priti në takim homologen e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ndodhet për një vizitë një ditore në Tiranë.
Dy ministret ranë dakord që Shqipëria dhe Kosova të ngrenë një Sekretariat të përbashkët, që do të shërbejë për realizimin e marrëveshjeve që janë firmos deri më sot dhe do të bëhen në të ardhmen. Gjithashtu Shqipëria dhe Kosova do të kenë pika të përbashkëta diplomatike në disa zona si Afrika dhe Azia, ndërsa do të ketë bashkëpunim mes diplomatëve në ambasadat ekzistuese.
Xhaçka tha se përparësia e Shqipërisë anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, ndërsa shtoi se marrëveshja e dialogut me Serbinë duhet të sjellë njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE.
“Biseduam për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi dy kryeministrave Rama-Kurti më 27 shtator, ku do të ngrihet një Sekretariat i përbashkët si një strukturë operative dhe do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe që do të nënshkruhen në të ardhmen. Do të ketë shtim të diplomacive të përbashkëta në zona si Afrika dhe Azia dhe ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në ambasadat ekzistuese. Kemi qene avokatja më e pakompromis për Kosovën, do të ngremë zërin për të dhe kemi lobuar dhe kritikuar hapur padrejtësisë që i është bërë Kosovës nga Brukseli për mos liberalizimin e vizave“, tha Xhaçka.
Edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim në të gjitha fushat dhe do të vijnë ta forcojnë edhe më shumë. Ajo tha se Kosova e ka të orientimin drejt BE dhe NATO dhe i shikon me skepticizëm konceptet konkurruese ndaj BE, ndërsa bëri thirrje se ndaj gjuhës agresive të Serbisë, i gjithë rajoni duhet të jenë më i koordinuar që të mos cenohet stabiliteti.
KOHA JONË SONDAZH

