FSHF ndërton dy fusha në Luginën e Preshevës, nisma mirëpritet nga komuniteti sportiv

Projekti i Federatës së Futbollit për ndërtimin e dy fushave moderne në Luginën e Preshevës, një në Komunën e Preshevës dhe një në Komunën e Bujanocit, ka marrë mbështetjen e drejtuesve vendorë, trajnerëve dhe futbollistëve të rinj, të cilët e vlerësojnë këtë investim si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të moshave.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi projektin si një investim që sjell shpresë për të ardhmen dhe falënderoi Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për mbështetjen e vazhdueshme.

“Ka investime që ndërtojnë infrastrukturë, por ka edhe investime që ndërtojnë shpresë për të ardhmen. I tillë është edhe projekti i FSHF-së për ndërtimin e dy fushave në Luginën e Preshevës. E para në Zhunicë, në Komunën e Preshevës, aty ku dikur ka qenë terreni i mirë i futbollit, dhe e dyta në Komunën e Bujanocit. E falënderoj përzemërsisht, veçanërisht, Presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, – tha Ardita Sinani.

Swiss Digital Desktop Reklama

Trajneri Besim Nasufi theksoi rëndësinë e zhvillimit të infrastrukture për klubet dhe shkollat e futbollit në Preshevë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Që në takimin e parë me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pashë në sytë e tij një entuziazëm shumë të madh për ndërtimin e fushave dhe, sidomos, gjatë takimit me fëmijët, e pa nga afër se fusha ishte mungesë dhe na premtoi se do të ndërtojë një stadium në Luginën e Preshevës. Rëndësia e këtij stadiumi është sepse në Preshevë luajnë dy klube sportive dhe kemi katër shkolla të futbollit, ku me ndërtimin e këtij stadiumi do të kenë mundësi të gjithë fëmijët të stërviten dhe të luajnë në stadiumin e ri, që është investuar nga FSHF-ja”, tha Besim Nasufi.

Edhe trajneri Driton Aliu vlerësoi ndikimin që do të ketë projekti në stërvitjen dhe zhvillimin e talenteve të reja.

“Unë si trajner, njëkohësisht edhe si punëtor i Qendrës Sportive Presheva, jam shumë krenar dhe i lumtur për këtë projekt të rëndësishëm, sidomos për nxënësit dhe rininë tonë që do të merret me futboll. Ky projekt do të na mundësojë dhe do të na lehtësojë shumë për stërvitjet, për të nxjerrë talente të reja. Falënderoj FSHF-në për këtë projekt kaq të madh”,  tha Driton Aliu.

Entuziazmin për fushat e reja e ndajnë edhe futbollistët e rinj, të cilët presin të kenë kushte më të mira për stërvitje dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.

“Për mua, një fushë e re është një ndjenjë shumë e mirë, sepse deri tani nuk kemi pasur shumë kushte. Falënderoj FSHF-në që po na mundëson fushat e reja për të luajtur dhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme, stërvitje dhe për të luajtur më shumë”, –tha Diar Zeqiri.

“Ne jemi shumë të lumtur që po na ndërtojnë fushën e re, sepse nuk kemi pasur shumë kushte për t’u stërvitur, por tani do t’i kemi kushtet për t’u stërvitur. E falënderoj FSHF-në”, tha Bleron Aliu.

Federata e Futbollit vijon gjithashtu ftesën për bizneset dhe donatorët që dëshirojnë të kontribuojnë në realizimin e kësaj nisme në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Projekti i fushave në Luginën e Preshevës/ Komuna e Preshevës & komuniteti vlerësojnë nismën e FSHF

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?