“Statut të ri për PD”: Përzgjedhja e kandidatëve në lista të nisë nga baza (Dokumenti)

Dy anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri dhe Edit Harxhi, i kanë dorëzuar Lulzim Bashës propozime konkrete për ndryshimin e statutit.  Në draft-statutin parashikohet një skemë e re funksionimi i Partisë Demokratike, ndërsa kërkohet që listat e deputetëve ti përcaktojë baza si dhe parashikohet rrudhje e anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Dy nenshkruesit theksojnë se ky dokument synon bashkimin dhe riingritjen e PD-së.

Edit Harxhi dhe Edvin Kulluri, dy anëtarë të Këshillit Kombëtar i kanë dorëzuar Lulzim Bashës, një draft propozim për ndryshimin e statutit të Partisë Demokatike.

Dy prej mbështetësve të Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike, në dokument parashikojnë që përzgjedhja e kandidatëve për deputet dhe pushtet vendor të nisë nga baza, si dhe parashikon uljen e numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, nga 260 në 120, dhe rrudhje të  Kryesisë nga 40 në 25  anëtarë.

Harxhi: Bordi i qarkut në mënyrë të drejtëpërdrejtë do të merret me përzgjedhjen përfundimtare, me propozimet që vinë nga degët e PD-së dhe këto propozime së bashku me CV e tyre dhe përmbushjen e të gjitha kritereve do të kalojnë në një proces intervistash për secilin kandidat. Kjo do të ndodhë, pra Bordi do të marrë një vendim jo më vonë se 60 ditë nga afati i vendosur nga KQZ për dorëzimin e listës së kandidatëve.

Harxhi dhe Kulluri, thonë se ky projekt i tyre pranohet nga ata që njihen si mbështetës të Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike.

Kulluri: Nuk ka asnjë çarje, nuk ka as divergjenca për këtë çështje, ashtu siç e kemi thënë që platforma për ringritjen e PD-së ka pasur mbështetjen maksimale për shumë elementë të saj që janë racionalë. Nuk ka konkurencë, ky është një propozim tjetër, i cili në mendimin tonë i vlen në mënyrë më afatgjatë.

Dy anëtarët e Këshillit Kombëtar theksojnë se draft-statuti  merr modelet më të mira të CDU-së gjermane dhe  konservatorëve anglezë.

Propozimi i dy anëtarëve te Këshillit Kombëtar

SHKARKO APP