Tabaku: Pse firmosin zëvendësat? Rama, Ahmetaj e Veliaj asnjë firmë
Jorida Tabaku, deputetja e PD, e ka parë në detaje projektligjin për ngritjen e kullave mbi Teatrin Kombëtar dhe ka zbuluar të tjera detaje nga ajo që opozita po e quan skandali i grabitjes së pronës publike.
Tabaku i ka drejtuar disa pyetje, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila rezulton deri sot si e vetmja që e ka firmosur projektligjin për shembjen e godinës, ndërsa kryebashkiaku, ministri i Financave dhe Kryeministri nuk kanë hedhur asnjë firmë, po ua kanë lënë zëvendësave të tyre.
Ja fjala e Tabakut në Komisionin e Ligjeve, pyetjet drejtuar Kumbaros:
Zonja ministre, sa dëgjesa publike janë bërë për projektligjin dhe kush ka marrë pjesë në dëgjesat publike? Nuk e di a ka dijeni zonja ministre, po përfaqësuesit e Bashkisë kanë dijeni për projektin e Pedonales, i cili është financuar nga fondet e BE dhe ka kushtuar rreth 5 milionë euro, që me projektin që unë kam parë, të paktën një pjesë e pedonales do të preket.
Kam dëgjuar shpeshherë krahasimin që përfaqësuesit e Bashkisë bëjnë me Pazarin e Ri; duke qënë se unë e kam negocuar atë projekt nga 2011 deri në 2013, nuk ka asnjë ngjashmëri, nuk ka asnjë kullë Pazari i Ri sot, është një projekt komplet tjetër, për të ruajtur identitetin e zonës dhe nuk ka asnjë bazë krahasimi i dy shembujve.
Në cilin vend kanë parë ministrja dhe përfaqësuesi i Bashkisë se është prishur një Teatër i vjetër dhe është ndërtuar një i ri në po të njëjtin truall, duke prishur dhe trashëgiminë kulturore?!
Unë besoj, duke qënë se ministrja është edhe e lexuar, ka lexuar edhe veprën e Montanelit në 1939 që fliste për Tiranën si një qytet me të tashme dhe të ardhme, pa të shkuar. Të njëjtën gjë po bëjnë dhe sot.
A e di zonja ministre se qeveria italiane e ka blerë truallin për të bërë një investim publik, aty? Ndërkohë që qeveria shqiptare po sillet si pushtuesit, investimin publik po e fal si plaçkë!
A e di zonja ministre se me kontratën që na kanë sjellë këtu, me ligjin që na kanë sjellë këtu, “prona vihet në dispozicion” thuhet; ky ligj thotë që “prona vihet në dispozicion”! Prona nuk mund të vihet në dispozicion pa një vendim të Këshillit Bashkiak me 3/5 e votave. Ky këtu që ka sjellë zonja ministre bashkë me përfaqësuesin e Bashkisë është antikushtetues, sepse shkel një ligj tjetër të miratuar me shumicë të cilësuar.
A e di zonja ministre që me këtë ligj që po sjellin këtu së pari shkelin ligjin e koncensioneve, së dyti shkelin Kushtetutën e vendit, së treti shkelin ligjin e pushtetit vendor dhe një sërë ligjesh të tjera?!
Pse ka marrë përsipër zonja ministre ta firmosë, ndërkohë që tek Ministria e Financave ka firmosur zëvendësministri dhe në Kryeministri ka firmosur zëvendëskryeministri?!
Nuk ka firmosur asnjë dokument të vetëm – po gjetën një dokument të vetëm – që e ka firmosur Kryetari i Bashkisë deri më sot…Vetëm zëvendëskryetarët e Bashkisë kanë firmosur. Pse kanë frikë ta kalojnë në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të mbajnë vetë përgjegjësinë?!
Pse e kthejnë parlamentin në një zyrë tenderash, lejesh ndërtimi dhe koncensionesh?!
Pse bëheni mburojë për marrëveshje korruptive? Pse e falni pronën publike ndërkohë që privatëve në Tiranë po u shemben shtëpitë prej qerpiçi dhe nuk marrin dot një leje ndërtimi?!” përfundoi Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

