Taulant Balla: Të hetohet Basha dhe pagesat e PD
Kreu i Grupi Parlamentarë të PS –së, Taulant Balla, në një dalje për mediat, ka akuzuar kreun e PD –së, Lulzim Basha, për pagesa në dy kompani offshore.
Sipas Ballës, ky skandal, ka ndodhur në në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. “Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump. Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor”, është shprehur Balla, ndërsa ka kërkuar hetime nga Njësia e Inteligjencës financiare.
Ky i fundit është ndalur në data dhe veprime konkrete, të kryera sipas tij nga Basha.
“Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Përveç dy kontratave të lidhura me ‘Stonington Strategies,’ gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD. ‘Stoningon Strategies’-lobuesi i padeklaruar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është pjesë e kompanisë lobuese ‘Muzin Capitol Partners’ – e regjistruar në Maryland të SHBA-ve.
Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016. I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.
Më 22 Mars, gjatë njërës prej vizitave të tij në Uashington, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me vlerë 25 mijë USD në muaj për një periudhë tre mujore. Sipas të dhënave të deklaruara nga “Muzin Capital Partners LLC” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, qëllimi i kësaj kontrate ishte “projektimi dhe implementimi” i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve dhe figurave politike në SHBA. Gjithashtu “Muzin Capitol Partners” raporton se do ta ndihmojë Partinë Demokratike në krijimin e një lëvizjeje konservatore në Shqipëri.
Dy ditë para se të firmoste kontratën me Bashën, më 20 Mars, “Muzin Capitol Partners’ ka nënshkruar një kontratë me kompaninë guackë ‘Biniatta Trade LP’, e cila angazhohet të paguajë 450 mijë USD për një periudhë tre mujore si dhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesmarrje në evente në Uashington D.C.
Për të zbatuar dy kontratat, ‘Muzin Capitol Partners’ deklaron gjithashtu se ka bërë një sërë pagesash me vlerë 103,109 USD ndaj katër kompanive të tjera të konsulencës si “Baron Public Affairs”, AFH Associates, ËBC dhe Burke Farah LLP”, ka denoncuar Balla.
KOHA JONË SONDAZH

