Treni kaloi dhe ne mbetëm në stacion!
Nga Kejdi Mehmetaj *
Në vend se të dorëhiqen kokulur për gabimet dhe dështimet, që padyshim i faturohen të gjitha kësaj qeverie të zhytur në krim e korrupsion e zbukuruar me arrogancë, vazhdojnë t’u hedhin hi syve të shqiptarëve duke festuar dështimin e radhës.
Negociatat nuk janë çelur, kushdo që thotë të kundërtën ose gënjen, ose justifikon rrogën. E vetmja e re që kemi është shtyrja e marrjes së vendimit. Si provimet që nuk marrim dot në sezon dhe profesorët na japin shansin ti përsërisim vitin tjetër.
Përpjekja e madhe e shqiptarëve për anëtarësim, konkretizuar në Nëntor të 2016, u shkërmoq si një kështjellë rëre.
Kushtet janë shtuar, procedurat janë rënduar, institucionet vendimmarrëse, po ashtu. Madje, sipas asaj që vetë Këshilli ka diskutuar, rrezikojmë edhe kthimin e vizave.
Është turp për Shqipërinë të diskutohet si nxënësi i mbetur në klasë, që mirë se nuk merr notë kaluese në reforma, por bën hapa pas në krim e korrupsion.
Është e qartë si drita e diellit, kjo qeveri nuk e do integrimin, sepse BE vjen me rregulla që Kryeministri nuk i shkel dot sipas interesave të tij.
Pasojat i vuajnë qytetarë. I vuajnë të rinjtë shqiptarë.
E humbëm një ndalesë të trenit, që nuk dihet sa vite mund të marrë për tu rikthyer në stacionin tonë.
Por të mos dorëzohemi, një shpresë na ka mbetur; Të çlirohemi nga kjo qeveri përgjegjëse për shkatërrimin e të ardhmes së vendit tonë.
Në mos të gjithë, ne të rinjtë të parët duhet të reagojmë fort. Të qenurit pjesë e Bashkimit Europian është ëndrra me të cilën jemi rritur. Është mundësia për edukim me cilësi, për punësim, për stabilitet, për liri dhe shpresë!
Të mos lejojmë pra, as këtë qeveri dhe asnjë kryeministër, të përfitojnë në kurrizin tonë dhe pastaj të vijnë edhe të na qeshin në fytyrë!
*Kejdi Mehmetaj, deputete e LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë
KOHA JONË SONDAZH

