Universiteti, Mehmetaj: Deliri i Ramës, as në diktaturë trupa akademike….

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj gjatë fjalës në kuvend, ka folur për debatin e fundit që ka përfshirë kreun e qeverisë me Universitetin e Tiranës. Duke e cilësuar situatën të rëndë, ajo shton se as në regjimet më të egra të diktaturës trupa akademike nuk u tranjtonte me përçmim.

”Në asnjë vend tjetër të botës, madje dhe në ato me regjimet më diktatoriale nuk ndodh që trupa akademike të trajtohet me kaq shumë përçmim, me kaq shumë negativitet, me kaq zell për ta rrëzuar atë në sytë e opinionit publik saç e bën Kryeministri ynë”.

Mehmetaj nënviozi se Edi Ramën se ka kapur dëliri i madhështisë. ”Dëlir madhështie që e ka kapur Kryeministrin për të qenë më i miri, i papari, i jashtëzakonshmi, nuk diskutohet që do të luftojë ata, të cilët e bëjnë të ndihet më inferior, që në këtë rast janë padyshim mendimi i këtij vendi, pra në këtë rast janë padyshim akademikët”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më tej deputetj e LSI-së ka akuzuar ministren e Arsimit, Lindita Nikolla për aktet nënligjore të ligjit të kaluar, ku i bën thirrje ministres që të mbajë sadopak përgjegjësi, duke qenë se nga viti 2013 deri në vitin 2015 vazhdonte të operonte me po të njëjtin ligj, por Nikolla është shprehur se nuk ka pasur ende aktet nënligjore.

Swiss Digital Mobile Reklama

”Në fakt dëgjova edhe ministren që tha për aktet nënligjore të ligjit të kaluar, por mendoj që edhe ajo mban sadopak përgjegjësi, duke qenë se nga viti 2013 deri në vitin 2015 vazhdonte të operonte me po të njëjtin ligj, që tha se nuk ka pasur ende aktet nënligjore”,-tha më tej Mehmetaj.

Fjala e plotë e deputetes

I nderuar kryesues i seancës, të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë. Në fakt pika e rendit të ditës duhet të ishte për çështjet e energjisë dhe për amendimet që janë bërë në atë ligj, për të cilin padyshim dhe unë kisha përgatitur një fjalë që do doja ta mbaja sot. Një lajm të mirë që fliste se bursa për energjinë do të hapet, por një lajm që gjithashtu kishte dhe shumë dëme mbrapa tij. Sepse është folur në këtë parlament gjatë për reformën në energji, por rrjeti ynë i energjisë vazhdon të jetë rrjeti që humbet më shumë energji. Por reforma e energjisë në fakt nuk qe reformë e energjisë, por qe reformë e burgut, të cilën kjo qeveri, me sa duket, e ka pasur qejf dhe vazhdon ta ketë shumë qejf.

Megjithatë, në një ditë si kjo e sotmja, kur Parlamenti e hapi seancën e tij mbas një debati shumë të gjerë lidhur me universitetin, e mbi të gjitha në një ditë si kjo e sotmja, kur Kryeministri merr përsipër të vijë dhe prapë nga kjo aulë të ofendojë universitetin, të ofendojë pedagogët, të ofendojë studentët, të ofendojë trupën, e cila në fakt nuk është thjesht elita, por është mendimi i këtij vendi, e kemi të pamundur që të mos mbajmë qëndrime. Ndaj unë me sinqeritet e them që më duket vërtet e habitshme. Në asnjë vend tjetër të botës, madje dhe në ato me regjimet më diktatoriale nuk ndodh që trupa akademike të trajtohet me kaq shumë përçmim, me kaq shumë negativitet, me kaq zell për ta rrëzuar atë në sytë e opinionit publik saç e bën Kryeministri ynë.

Në fakt unë dhe nuk habitem, sepse në këtë dëlir madhështie që e ka kapur Kryeministrin për të qenë më i miri, i papari, i jashtëzakonshmi, nuk diskutohet që do të luftojë ata, të cilët e bëjnë të ndihet më inferior, që në këtë rast janë padyshim mendimi i këtij vendi, pra në këtë rast janë padyshim akademikët. Në fakt unë fjalën time për ligjin “Për Arsimin e Lartë”, aktet nënligjore do ta mbaj më të zgjeruar të enjten që vjen, në interpelancën që ne kemi kërkuar. Megjithatë dua të ndalem në disa pika që sot u thanë disa herë, por që janë tërësisht të pavërteta, ashtu siç vetëm të pavërteta di të thotë kjo qeveri.

Për shembull, dëgjova sot nga Kryeministri të thoshte që vetëm në universitetin e Tiranës qenkan këto probleme. Po, po, këto probleme dalin vetëm nga Universiteti i Tiranës për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Universiteti i Tiranës është i vetmi universitet publik në Shqipëri që sot pjesën kryesore të bordit e ka vetë universiteti dhe jo ministria. Po si mendoni ju të dashur qytetarë, atje ku ministria ka vënë veprimtarët e tij më të zellshëm, a do të jenë ata në gjendje të dalin kundër kësaj qeverie, kundër kësaj ministrie që i ka emëruar? Pa diskutim që jo. Pa diskutim që do të ulin kokën dhe do pranojnë të gjithë të zezat që po vijnë nga ky ligj që me zor po implementohet, por që nuk ka për t’u implementuar kurrë, sepse aq keq është ndërtuar në përbërjen e tij. Pra, që ta kuptojmë qartazi dhe drejtë, nëse problemi vjen nga Universiteti i Tiranës, vjen sepse është vetëm Universiteti i Tiranës që mund të ketë autonomi në pjesën e administrimit të tij. Dëgjuam dje që Universiteti i Tiranës na qenka bishti i kavallit dhe sot që bishti i kavallit u thënka për akreditimin. Në fakt, kjo qeveri që është bishti i kavallit për qytetarët shqiptarë, duhet tua thotë qytetarëve që akreditimi është thjesht dhe vetëm institucional.

Dhe fakti që Universiteti i Tiranës ka dalë në akreditim më keq se Universitetet e tjera, është pikërisht për faj të kësaj qeverie, e cila me këtë ligj dhe me mos hartimin e akteve nënligjore ka bërë që universiteti të mos dalë mirë në akreditim. Pse? Sepse nuk është bërë statuti. Pse nuk është bërë statuti? Sepse nuk ka nxjerrë akoma aktet nënligjore. Pse nuk bëjnë kontrolle, pse nuk bëjnë raportime? Sepse akoma nuk kanë nxjerrë aktet nënligjore. Dhe unë besoj thellësisht sepse nuk dinë dhe nuk duan që ta bëjnë mirë dhe ndershmërisht këtë punë, që nuk i vlen vetëm kësaj qeverie, por i vlen shumë dhe jashtëzakonisht shumë të ardhmes së vendit tonë.

U fol se aktet nënligjore janë bërë një pjesë, me një përqindje që është tërësisht e pavërtetë por që do kemi mundësi ta diskutojmë të enjten tjetër, por ndërkohë nuk tregohen aspak të sinqertë që dhe ato akte nënligjore që kanë bërë, realisht janë në kundërshtim me frymën e ligjit që kanë dashur të bëjnë por nuk e kanë bërë mirë. Ju sjell këtu rastin e udhëzimit nr. 27 i cili flet për hierarkinë e universitetit, ku i jep kompetenca Rektorit, të cilat nuk ia ka dhënë ligji dhe këtë e ka bërë sepse aq shumë i ka futur duart ligji, udhëzimet, ato pak që kanë bërë deri tani, aq shumë janë përpjekur të futen brenda universitetit, saqë tani, atë konflikt që ia kanë lënë në derë Universitetit të Tiranës, përpiqen ta shuajnë me këto udhëzime, të cilat janë të paligjshme.

Nga ana tjetër është thënë se kjo reformë ishte reforma më e mirë, një reformë, që nuk po arrin dot të implementohet, por që do dashka kohën e saj që të dalin aktet nënligjore. Më fal por, ishte e njëjta ministri, i njëjti Kryeministër që e hartoi këtë ligj, edhe pse disa herë e kundërshtuam, qoftë nëpër komisione apo në fjalët që kemi mbajtur në parlament, por nuk e mori parasysh kjo ministri që donte më shumë kohë për të bërë aktet nënligjore? Të mos i shkruante aty, të paktën për të qenë korrekte me punën e saj dhe me qytetarët, as nëntë muaj, as një vit, por të shkruante aty dy vite e gjysmë, tre, katër dhe kështu do të kishte në dispozicion të gjithë kohën për ta implementuar ligjin që edhe ne të mos shqetësoheshim, edhe universiteti të dinte që do duheshin 3-4 vite që ligji të hynte në fuqi dhe le t’i bazoheshin ligjit të kaluar.

Në fakt dëgjova edhe ministren që tha për aktet nënligjore të ligjit të kaluar, por mendoj që edhe ajo mban sadopak përgjegjësi, duke qenë se nga viti 2013 deri në vitin 2015 vazhdonte të operonte me po të njëjtin ligj, që tha se nuk ka pasur ende aktet nënligjore.

Foli Kryeministri në mëngjes se si ka qenë shumë e suksesshme pranimi në universitete, e se nuk pati qoftë edhe një prind që u ankua. Por, ku do ankohej prindi? Në këtë qeveri arrogante, që nuk pranon të na dëgjojë neve, që jemi votuar këtu nga qytetarët, e jo më se si mund t’ia mbyllë derën në fytyrë qytetarëve të thjeshtë, që shkojnë dhe ankohen. Por, në qoftë se Kryeministri nuk e di, sepse nuk po e quaj këtë dashakeqësi, por po e quaj padije dhe mungesë informacioni, ka një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që tregon të gjitha shkeljet ligjore që Ministria e Arsimit ka bërë, për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për jetën që u ka shkatërruar qindra-mijëra familjeve shqiptare, fëmijët e të cilëve sot ose nuk u janë hapur dyert e shkollës, ose nuk janë në shkollën që kanë merituar, ose kanë ngelur rrugëve të botës, sepse këtu nuk kanë arritur të realizojnë ëndrrën e tyre. Dhe ky raport i KLSH-së tregon qartazi përgjegjësinë që kjo qeveri duhet të mbajë. Dhe më besoni që në të ka mjaftueshëm indicie, që të çelet një proces gjyqësor për të parë shpërdorimin e detyrës që ministria dhe vetë ministrja ka bërë lidhur me një ose disa vendime, që na fakt kanë ndikuar në jetën e shumë familjeve shqiptare.

U fol këtu gjithashtu edhe për çmimet. I qenka dhënë autonomi universitetit për çmimet, por në fakt harrojnë që në një nga nenet e ligjit në fakt flitet se është qeveria ajo që duhet të vendosë tavanin e tarifave që duhet të paguajnë studentët. A i kemi në sot të dhënat se sa duhet të jetë maksimumi i tarifave që duhet të paguajë një student apo një familje. Po nëse i kemi, që nuk i kemi faktikisht, pse nuk e kanë mundësinë familjet shqiptare, ose fëmijët e tyre, ose studentët që të marrin kredi studentore që të përballojnë këto shpenzime? Nga ana tjetër, meqë u krenuaka kaq shumë ministria që i paska dhënë gjithë të drejtën universitetit të vendosë tarifat, por ndërkohë ka ulur investimet e ministrisë sa i takon universitetit dhe arsimit, çfarë do të thotë kjo? Shpjegohet shumë qartë. Unë nuk e bëj dot, por edhe përgjegjësinë nuk e mbaj. Prandaj, unë po e bëj dhe po ta lë në derë që ta menaxhosh si të duash. Ja pra, kjo është e vetmja autonomi që kjo qeveri është përpjekur t’i japë universitetit. Pra, unë bëj dështimin, por ndërkohë përgjegjësinë do ta mbajë universiteti. Dhe filozofia për mua është jashtëzakonisht shumë e thjeshtë.

Është një filozofi që kjo qeveri e tregon në çdo punë që bën: Përça e sundo. Krijo konflikt që më pas të shkosh aty, të bësh rolin e arrogantit, rolin e njeriut që dëliron për të ofenduar të gjithë ata që ke përballë, për t’i thënë të gjithëve që nuk bëni e se ky Kryeministri ynë qenka më i miri nga të gjithë. E njëjta gjë ndodhi me Akademinë e Shkencave. E njëjta gjë po ndodh sot me Universitetin e Tiranës. E njëjta gjë po ndodh me artistët. E njëjta gjë po ndodh në çdo sektor të jetës së shqiptarëve. Prandaj, duhet ta kuptojmë dhe të gjithë të motivohemi që të mos e lëmë më këtë qeveri që të shpërdorojë, jo thjesht detyrën e saj, por edhe jetën tonë dhe të brezave që do të vijnë më pas.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?