Vasili: Rama në siklet, po i imponon Prokurorisë se ç’duhet të flasë për vdekjen e shoferit të Xhafajt
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Korça pretendimeve të ish-kryeministrit Berisha, se pas vrasjes së shoferit të ministrit të Brendshëm Xhafaj, qëndrojnë larje hesapesh nga klanet mafioze.
Por për Ramën, vdekja e gardistit u shfrytëzua nga opozita për të sulmuar ministrin Xhafaj.
Por ky reagim i kreut të Qeverisë ka nxitur reagimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila përmes kryetarit të grupit të saj parlamentar, Petrit Vasili thekson se Rama gjendet në siklet të madh, saqë po i imponon Prokurorisë dhe versionin e tij të ngjarjes, në një kohë që kjo e fundit vijon të hetohet nga organi i akuzës.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Vasili i drejton dhe një pyetje publikut teksa shprehet:
“Ç’siklet ka kryeministri që nuk flet se si ngjarja ndodhi brenda institucionit të sigurisë më të lartë në vend???”- pyet Vasili.
Reagimi i plotë i Petrit Vasilit
Çfarë sikleti të madh ka kryeministri, që sërish bëhet prokuror.
Kryeministri i mbaroi vetë hetimet, dha edhe përfundimet për ngjarjen e rëndë të shoferit të ministrit të Brendshëm.
Ç’siklet ka kryeministri që nxiton kaq shumë të flasë, të bëjë hetuesin edhe prokurorin???
Prokuroria po heton, po bën punën e saj dhe nuk ka nxjerrë akoma një qëndrim përfundimtar.
Kaq të madh e ka sikletin kryeministri, që po nxjerr përfundime dhe po i imponon prokurorisë se ç’duhet të thotë.
Ç’siklet ka kryeministri që nuk flet se si ngjarja ndodhi brenda institucionit të sigurisë më të lartë në vend???
Ky kryeministër i inkriminuar ka shumë siklete, të cilat po dalin, por edhe do vazhdojnë…. të dalin një nga një.
KOHA JONË SONDAZH

