Votimi me detyrim, aleati i PD-së: Një ide e gabuar, të sigurohet vota e lirë
Një propozim i n/kryetarit të PD-së, Edmond Spaho, që votimi të bëhet me detyrim, ka hapur një debat të ri. Një anë që e mbështet dhe një palë që e kundërshton, në të cilën bën pjesë edhe aleati i PD-së, Artur Roshi, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat.
Roshi u përfshi në listën e PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit, por i pozicionuar jo në emrat fitues. Në një reagim të gjatë në rrejtin social facebook, Roshi argumenton pse është kundër votimit me detyrim. Ai shkruan se vendosja e ligjit për të detyruar qytetarët të votojnë në zgjedhje është një masë shtërnguese që bie ndesh me filozofinë liberale.
“Ushtrimi i të drejtës së votës, është një “e drejtë” e qytetarit dhe si e tillë nuk mund të detyrohet me ligj. Sigurisht pajtohem me shqetësimin e blerjes së votës, por duhet gjetur mekanizmi për ta eleminuar. Unë kam bindjen e thellë se mospjesëmarrja në votime bëhet “pjesëmarrje” kur sigurohet realisht vota e lirë për qytetarët”, shkruan kreu i Partisë Balli Kombëtar.
Duke e ilustruar qëndrimin kundër me zgjedhjet e 25 qershorit, Roshi nënvizon se mospjesëmarrja në votime bëhet “pjesëmarrje” kur sigurohet realisht vota e lirë për qytetarët. Për të, Ministrat Teknikë të PD-së në qeverinë Rama, nuk e siguruan që vota të jetë e lirë.
Në këtë pikë, aleati i PD-së, thekson se qytetarët nuk u motivuan me ndryshimin dhe se me idenë e një ligji që detyron të votosh nuk sjell asgjë pasi prevalon vota e lirë. “Vota e lirë nxit vullnetin për besimin politik, pra rrit pjesëmarrjen, bën çlirimin mental të qytetarëve”.
Nga Artur Roshi
Dje në media pati jehonë një ide e z.Edmond Spaho n/kryetar i Partisë Demokratike në lidhje me votimin e detyruar të shqiptarëve sepse zvogëlohet mundësia e blerjes së votës duke u rritur pjesëmarrja dhe këtë ligj e ka edhe Greqia. Çdo ide e hedhur në publik nga njerëz me influencë që u vjen nga pushteti politik që gëzojnë në një parti politike, apo nga personaliteti i tyre kthehet në temë debati sepse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në mënyrën e zgjidhjes së problemeve të shoqërisë, për rrjedhojë ndikojnë në jetët tona.
Kjo na jep të drejtën morale të reagojmë, por sigurisht brenda arsyes dhe asaj që na bashkon “e ardhmja e përbashkët”, si opozitë dhe si qytetarë. Desha të them se një ide e tillë nuk sjell shije të mirë për publikun kur vjen nga një parti e qendrës së djathtë siç është Partia Demokratike.
Së pari, mendoj se mungon argumenti politik që duhet të paraqesë një forcë politike liberale e qendrës së djathtë si PD-ja e cila mekanizmat politikë i ngre mbi lirinë e individit duke zvogëluar egzistencën e shtetit. Në këtë rast vendosja e ligjit për të detyruar qytetarët të votojnë në zgjedhje është një masë shtërnguese që bie ndesh me filozofinë liberale.
Nga ana tjetër ushtrimi i të drejtës së votës, është një “e drejtë ” e qytetarit dhe si e tillë nuk mund të detyrohet me ligj. Sigurisht pajtohem me shqetësimin e blerjes së votës, por duhet gjetur mekanizmi për ta eleminuar. Unë kam bindjen e thellë se mospjesëmarrja në votime bëhet “pjesëmarrje” kur sigurohet realisht vota e lirë për qytetarët.
Në zgjedhjet e fundit qytetarët patën intuitën ta kuptonin se ministrat teknikë nuk do të siguronin votën e lirë dhe nuk do të ndalonin dot blerjen e votës si “mall “dhe kjo u pa qartë që ndodhi, atëherë qytetarët nuk u motivuan për ndryshimin.
Argumentat matematikorë për të shtuar pjesëmarrjen në votime jashtë kontekstit të logjikës politike nuk japin produkte politike. Pra mekanizmi për të arritur tek qëllimi është shumë i rëndësishëm sepse vetë ai, prodhon efekte politike. (humbet ose shton votues).Vota e lirë nxit vullnetin për besimin politik, pra rrit pjesëmarrjen, bën çlirimin mental të qytetarëve, pra qytetarët fillojnë të vlerësojnë në mënyrë racionale realitetin e për pasojë të ardhmen dhe jo rrethanat emocionale të ngjallura nën presionin e fushatës.
Së dyti, referenca për një argument politik merret si vërtetësi, për ta bërë argumentin të vërtetë. Në rastin e z.Spaho, referenca është Greqia si vend perëndimor, mirëpo është sipërfaqësore sepse Greqia me inisiativën e kryeminstrit Simits rreth vitit 1998 e ka shfuqizuar ligjin që detyronte qytetarët të votonin dhe të shprehnin besimin e tyre fetar i cili shënohej në pasaportë. Ai e bëri këtë për arsye se ky ligj nuk funksiononte, sepse morali politik i lirisë prevalon mbi ligjet në letër dhe të bëra në rrethana të caktuara, ashtu si ligji i luftës me Shqipërinë i cili egziston, por që ka zero shanse të funksionojë ndërmjet dy vendeve që aderojnë në NATO.
Greqia sot nuk e ka një ligj të tillë dhe nuk kemi pse ta marrim shembull për të djeshmen sepse edhe ne dje kemi qenë një sistem diktatorial. Prandaj gjykoj se një ligj i tillë do ta zhysë demokracinë e pakët që kemi sot në një vakum funksional.
KOHA JONË SONDAZH

