Zbardhet vendimi – Gjykata: Kuvendi tejkaloi Kushtetutën me ligjin e qeverisjes së sistemit të drejtësisë
Nga Herion Mesi
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 1 muaji më parë ku pranon pjesërisht ankimimin e Partisë Demokratike, dhe shfuqizon si antikushtetuese disa nga nenet e ligjit për “organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Pas shumë diskutimesh gjykatësit kanë votuar për shfuqizimin e pesë neneve, të cilët i konsiderojnë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën. Në këto kushte, ligji, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, pritet të kthehet për rregullime në Kuvend. Ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, është i dyti në radhë pas atij të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kthehet nga Gjykata Kushtetuese për rregullime në Kuvend.
Po cilat nene ka shfuqizuar Kushtetuesja?
Konkretisht vendimi I Kushtetueses parashikon shfuqizimin e neneve 61 dhe 159 të ligjit, ku parashikohet mënyra sesi organizohen dhe ushtrojnë funksionin e tyre Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë. “Gjykata konstaton se kompetencat, si transferimi i gjyqtarëve/prokurorëve, vendosja e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve/prokurorëve të të gjitha niveleve, propozimi Presidentit të Republikës i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, propozimi Kuvendit i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, propozimi dhe administrimi i buxhetit apo dhe miratimi i rregullave të etikës dhe mbikëqyrja e respektimit të saj, të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta, nuk janë parashikuar si kompetenca që ushtrohen respektivisht nga mbledhjet plenare të KLGJ-së dhe KLP-së. Si rrjedhim, Gjykata vlerëson se të gjitha kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta duhet të implementohen si të tilla në ligj dhe nuk mund t’u delegohen komisioneve. Gjykata thekson se si komisionet e përhershme edhe ato të përkohshme janë organizma ndihmës në varësi të KLGJ-së dhe KLP-së dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë atributet që Kushtetuta ua ka njohur në mënyrë të shprehur këtyre të fundit. Në përfundim, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit se nenet 61 dhe 159 të ligjit bien ndesh me Kushtetutën është i bazuar, e si i tillë duhet pranuar”- thekson gjyakata Kushtetuese në pikat, 21-22 dhe 23 të vendimit të saj.
Kompetencat e Ministrit të Drejtësisë
Gjithashtu antikushtetues është parë edhe neni 169 pika 5, ku parashikohet e drejta e Ministrit të Drejtësisë ose përfaqësues të tij, për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe të Komisioneve të Përhershme të këtij Këshilli, si dhe të marrë çdo informacion që i vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Për pretendimin për shfuqizimin e nenit 169/5 të ligjit, duke ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, Gjykata e vlerëson të bazuar edhe pretendimin për shfuqizimin e nenit 169/5 të ligjit. “Gjykata vëren se ligjvënësi duke parashikuar në nenin 169, pika 5 pjesëmarrjen e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësuesit të tij pa të drejtë vote gjatë mbledhjeve të KLP-së dhe të komisioneve të përhershme, tejkalon Kushtetutën duke cenuar parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave juridike.
Gjykata vëren se rastet kur kushtetutëbërësi ka vlerësuar bashkëpunimin e organit të prokurorisë, KLP-së dhe pushtetit ekzekutiv i ka përcaktuar në nene të veçanta. Konkretisht, në nenin 148/b të Kushtetutës parashikohet se Prokurori i Përgjithshëm propozon dhe administron buxhetin e Prokurorisë me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa në nenin 149/a/d parashikohet se KLP-ja propozon dhe administron buxhetin e saj. Në nenin 169 të ligjit nr.115/2016, objekt shqyrtimi parashikohet se ministri i Drejtësisë koordinon zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe të strategjisë sektoriale të sektorit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë është gjithashtu përgjegjës për përgatitjen e projektakteve ligjore në fushën e drejtësisë penale, pasi ka marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ministri i Drejtësisë mund të paraqesë ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkelje disiplinore të pretenduara të prokurorëve, si dhe mund të kërkojë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike në Prokurorinë e Përgjithshme ose në zyrat e Prokurorisë. Ministri i Drejtësisë ose përfaqësues të tij mund të marrin pjesë si vëzhgues në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e Asamblesë së Personelit Akademik dhe të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e posaçme të drejtuesve të institucioneve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në përfundim, Gjykata vlerëson se parashikimi ligjor lidhur me kompetencën e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësuesit të tij për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLP-së ose komisioneve të përhershëm është në tejkalim të Kushtetutës, si rrjedhim pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e nenit 169/5 është i bazuar dhe duhet të pranohet”- thekson Gjyakata në pikat 27, 28 dhe 29 të vendimit të saj.
Në fakt, Partia Demokratike kishte kërkuar edhe shfuqizimin e disa neneve të tjera, e që përbënin edhe thelbin e ankimimit, pasi lidheshin direkt me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Lidhur me këtë pjesë të kërkimit të opozitës, në mbledhjen e gjyqtarëve ka patur shumë debat, por në fund ankimimi është rrëzuar, pasi nuk është arritur kuorumi.
Gjykata saktëson se, 4 gjykatës votuan pro pranimit të ankimimit dhe 3 prej tyre kundër, por që kërkesa të pranohej nevojiten 5 vota.
VENDIMI I PLOTË I GJYKATËS KUSHTETUESES
Vendim nr. 41 datë 16.05.2017
(V-41/17)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, anëtarë, me sekretare Belma Lleshi, në datën 28.03.2017 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen me nr.10 Akti, që u përket palëve:
KËRKUES: NJË GRUP DEPUTETËSH, JO MË PAK SE 1/5 E ANËTARËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, përfaqësuar në gjykim nga z. Oerd Bylykbashi, z. Gazmend Bardhi dhe z. Ivi Kaso.
Subjekte të interesuara:
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar në gjykim nga znj. Vasilika Hysi, znj. Yllka Banushi dhe z. Alban Brati.
SHOQATA KOMBËTARE E GJYQTARËVE të shqipërisë, përfaqësuar në gjykim nga z. Erjon Bani.
Unioni i Gjyqtarëve të shqipërisë, në mungesë.
Unioni i Prokurorëve të shqipërisë, në mungesë.
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të shqipërisë, në mungesë.
OBJEKTI: Deklarimi si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 5, neneve 19-58, nenit 61, nenit 103, neneve 117-156, nenit 159, nenit 169/5, nenit 235, si dhe të nenit 285 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
BAZA LIGJORE: Nenet 4, 7, 60/1, 61/4, 78, 81/2, 116, 131/a, 134/c, 147, 147/a, 147/c, 149, 149/a, 149/c, 149/d, si dhe pikat 5 dhe 6 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 27, 49, 50, 51, 51/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes Fatmir Hoxha, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, që kërkoi pranimin e kërkesës, pretendimet e subjektit të interesuar, Kuvendit të Shqipërisë, i cili kërkoi rrëzimin e kërkesës, si dhe të subjektit të interesuar, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që kërkoi pranimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
I
- Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.115/2016, datë 03.11.2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”[1]. Në ligj parashikohen parimet dhe rregullat në lidhje me organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes gjyqësore, si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).
- Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë duke kundërshtuar dispozitat e ligjit që rregullojnë procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë të KLGJ-së dhe KLP-së, kompetencat e këtyre organeve, përgjegjësinë disiplinore të anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës, si dhe kompetencën e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë në mbledhjet e KLP-së.
II
- Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për kundërshtimin e ligjit nr.115/2016, datë 03.11.2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, konkretisht të nenit 5, neneve 19-58, nenit 61, nenit 103, neneve 117-156, nenit 159, 169/5, nenit 235, si dhe të nenit 285 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, duke argumentuar si vijon:
- Kërkuesi legjitimohet t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenet 131/a dhe 134/c të Kushtetutës.
- dispozitat, konkretisht nenet 19 deri 59, që parashikojnë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë të organeve të KLGJ-së dhe KLP-së, kompetencat e këtyre organeve, organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës, si dhe kompetencën e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë në mbledhjet e KLP-së bien në kundërshtim me Kushtetutën.
- Mënyra e zgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLGJ-së dhe KLP-së, e parashikuar në ligj, bie në kundërshtim me nenet 147 dhe 149 të Kushtetutës, duke cenuar parimin e shtetit të së drejtës dhe parimin e hierarkisë së normave. Ligji ka shndërruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve, si dhe ka dubluar kompetencat e tyre. Sistemi i emërimit në këto organe është i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe është e pamundur që ligji të krijojë një sistem të ri emërimi, që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Ligji vendos Kuvendin në marrëdhënie bashkëpunimi me organe të tjera, si komisioni ad hoc, dekanati i fakulteteve, mbledhja e posaçme e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë apo komisioni i shoqërisë civile, duke i ngushtuar kompetencën kushtetuese sekretarit të përgjithshëm dhe nënkomisionit pranë Komisionit të Ligjeve, pasi do të vlerësojnë një numër të kufizuar kandidatësh. Për dy anëtarë që zgjidhen nga radhët e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, përzgjedhja paraprake bëhet sipas votimit numerik dhe nuk garantohet kriteri i përzgjedhjes nga radhët e juristëve me integritet të lartë moral dhe profesional.
- Kompetencat e Avokatit të Popullit janë të përcaktuara në mënyrë shteruese nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 60) dhe nuk është parashikuar mundësia për t’i shtuar këto kompetenca me ligj. Parashikimi në ligjin objekt kërkese të rolit të Avokatit të Popullit në verifikimin dhe shqyrtimin e kritereve të kandidatëve për në KLGJ bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi del jashtë natyrës së veprimtarisë së këtij organi.
- Në ligj nuk parashikohet asnjë rregull që të garantojë përgjegjshmërinë e anëtarëve të organeve, si komisioni i pavarur ad hoc, dekanati i fakulteteve apo komisioni i shoqërisë civile.
- Nenet 5 dhe 103 të ligjit, të cilat parashikojnë rastet që sjellin përgjegjësi disiplinore të anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, nuk janë në pajtim me parimin e sigurisë juridike për sa i takon qartësisë së normës juridike në përmbajtje. Këto nene kanë të njëjtën përmbajtje dhe parashikojnë se për aq sa gjejnë zbatim zbatohen dispozitat e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ky parashikim është evaziv dhe krijon mundësi abuzimi në praktikë. Në ligj duhet të parashikohen në mënyrë të qartë rastet që përbëjnë shkelje të rëndë disiplinore dhe etike për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së.
- Lidhur me kompetencat e organeve të KLGJ-së dhe KLP-së në nenet 61 deri në 159 të ligjit është parashikuar se këto organe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në komisione ose mbledhje plenare. Në analizë të pikës 2 të nenit 61 të ligjit në kompetencë të mbledhjes plenare nuk janë të parashikuara disa çështje, si vlerësimi dhe transferimi i gjyqtarëve, vendimet mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, propozimi i kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, si dhe propozimi dhe administrimi i buxhetit.
- Nenet që parashikojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës nuk mund të jenë pjesë e ligjit, pasi Shkolla e Magjistraturës nuk është as organ i krijuar me Kushtetutë, as institucion i parashikuar nga Kushtetuta. Shkolla e Magjistraturës nuk ka fituar personalitet juridik nga Kushtetuta dhe nuk ka kompetenca kushtetuese, por vetëm përmendet prej saj. Ky institucion duhet të përjashtohet nga rregullimi procedural i nenit 81/2/a, ku parashikohet se ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta miratohen me 3/5-at, por duhet të miratohet me ligj sipas kritereve të nenit 78/1 të Kushtetutës. Miratimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës me shumicë të cilësuar do të sjellë pamundësi miratimi me shumicë të thjeshtë në rast të ndryshimeve të mundshme për funksionimin e kësaj shkolle.
- Në nenin 147/a të Kushtetutës është parashikuar e drejta e ministrit për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLGJ-së kur diskutohen çështje për planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor. E drejta e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLP-së dhe të komisioneve të përhershme të Këshillit parashikohet edhe në nenin 169/5 të ligjit, por kompetenca e ministrit për të marrë pjesë në mbledhjet e KLP-së nuk parashikohet nga Kushtetuta. Kjo kompetencë cenon parimin e hierarkisë së normave, pasi ligji ka tejkaluar Kushtetutën.
- Neni 235 i ligjit bie në kundërshtim me nenet 4, 7 dhe 149/d të Kushtetutës, ku parashikohet kompetenca e KED-së për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale dhe morale të kandidatëve. Pjesë e vlerësimit të kritereve morale është dhe vlerësimi i pasurisë. Në nenin 235 të ligjit parashikohet se kompetencën për të kryer kontroll pa asnjë mbikëqyrje e ka ILDKPKI-ja dhe jo KED-ja. Në këtë rast ka cenim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi ILDKPKI-ja ndërhyn në kompetencat e KED-së, pasi vlerësimi i kritereve drejtohet dhe kontrollohet nga KED-ja.
- Subjekti i interesuar, Kuvendi i Shqipërisë, ka paraqitur parashtrime me shkrim, duke argumentuar si vijon:
- Pretendimi i kërkuesit se dispozitat që rregullojnë mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve jogjyqtarë për organet e KLGJ-së dhe KLP-së cenojnë Kushtetutën, është i pabazuar. Kushtetutëbërësi në mënyrë të vetëdijshme nuk ka rregulluar drejtpërdrejtë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLD-së dhe KLP-së. Kuvendi ka miratuar ligjin nr.115/2016, në të cilin është parashikuar procedura e përzgjedhjes dhe verifikimit paraprak të kandidatëve. Pretendimi i kërkuesit vjen si rezultat i interpretimit të fragmentizuar të Kushtetutës.
- Procesi i përzgjedhjes brenda grupeve profesioniste nuk cenon kompetencën përfundimtare të Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e Këshillit. Ky proces i mundëson Kuvendit të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese në mënyrën që urdhëron Kushtetuta. Pretendimi i kërkuesit se në ligj është parashikuar një kompetencë që nuk parashikohet nga Kushtetuta është i pabazuar. Në Kushtetutë nuk është parashikuar ndalimi i organeve përzgjedhëse. Në nenet 147 dhe 149 të Kushtetutës parashikohet zhvillimi i një procedure të caktuar brenda Kuvendit, por njëkohësisht dhe përfaqësimi i disa nëngrupeve specifike të juristëve me cilësi të larta morale dhe profesionale.
- Në rastin e zgjedhjes së anëtarëve jomagjistratë Kushtetuta ka bërë dallimin midis dy koncepteve “përzgjedhje” dhe “zgjedhje”, të cilat ushtrohen në faza të ndryshme. Mënyrën e rregullimit të procesit të përzgjedhjes Kushtetuta ia ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm. Sistemi i përzgjedhjes bëhet jashtë organit të Kuvendit, si filtër paraprak nga komisionet e pavarura ad hoc. Në përfundim, zgjedhja e anëtarëve bëhet nga Kuvendi, sikurse parashikohet nga Kushtetuta.
- Pretendimi i kërkuesit se ligji ka parashikuar një procedurë të re për zgjedhjen e kandidatëve jomagjistratë për KLGJ-në dhe KLP-në është i pabazuar. Procesi i përzgjedhjes dhe i verifikimit paraprak të kandidatëve nuk cenon kompetencën e Kuvendit, pasi verifikimi paraprak është një proces ndihmës. Procedura e zgjedhjes fillon dhe mbaron nga Kuvendi, si organ i parashikuar nga Kushtetuta.
- Pretendimi i kërkuesit për mungesën e përgjegjshmërisë së anëtarëve të komisioneve është i pabazuar. Procedura e parashikuar nga ligji për përzgjedhjen e tyre garanton profesionalizëm dhe përgjegjësi.
- Pretendimi se në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve nga radhët e pedagogëve për anëtarë të KLD-së dhe KLGJ-së nuk respektohet parimi i përzgjedhjes sipas meritokracisë, është i pabazuar. Procedura e parashikuar nga ligji se këta kandidatë zgjidhen nëpërmjet votimit të mbledhjes së fakulteteve të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, pra sipas metodës së pikëzimit, garanton zgjedhjen e individit që ka mbështetje më të madhe.
- Pretendimi se kompetencat e Avokatit të Popullit janë të parashikuara në mënyrë shteruese në Kushtetutë dhe se ligji nuk mund t’i japë kompetenca të tjera është i pabazuar. Roli i Avokatit të Popullit është i përcaktuar në Kushtetutë, por me ligj mund t’i jepen kompetenca të tjera në funksion të misionit të tij. Gjithashtu, me amendamentet kushtetuese i janë dhënë përgjegjësi të reja, të parashikuara nga nenet 149/d/3, 179/8/11 dhe C/6/7 të Kushtetutës.
- Kërkuesi ka pretenduar se dispozitat që rregullojnë përgjegjësinë disiplinore të anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së janë evazive dhe të paqarta. Ligjvënësi me qëllim mospërsëritjen e dispozitave ligjore i është referuar ligjit për statusin e magjistratit.
- Pretendimi i kërkuesit se parashikimi në ligj për krijimin e komisioneve vendimmarrëse të KLGJ-së dhe KLP-së cenon vendimmarrjen e këtyre organeve, është i pabazuar. Në Kushtetutë parashikohet krijimi i komisioneve me funksion vendimmarrës dhe jo lehtësues apo asistues, si rrjedhim parashikimi ligjor nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
- Pretendimi i kërkuesit se rregullat për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës nuk duhet të jenë pjesë e ligjit për organet e sistemit të drejtësisë, pasi nuk është institucion kushtetues, është i pabazuar. Me ndryshimet kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës është ngritur në nivelin e organeve të tjera kushtetuese dhe i është dhënë një personalitet i caktuar juridik me kompetenca specifike kushtetuese. Shkolla e Magjistraturës është organi i vetëm me kompetencë për të përgatitur gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nuk do të pranohen në sistemin e drejtësisë pa e përfunduar atë. Shkolla e Magjistraturës ka funksion në përgatitjen e magjistratëve, ushtron kompetenca kushtetuese gjatë procesit të rivlerësimit, si dhe i janë dhënë kompetenca të rëndësishme në lidhje me institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
- Pretendimi se pjesëmarrja e ministrit të Drejtësisë në mbledhjet e KLGJ-së dhe KLP-së gjatë diskutimit të çështjeve për planifikimin strategjik dhe për buxhetin krijon ndërhyrje në kompetencat e këtyre organeve, është i pabazuar. Roli i ministrit gjatë mbledhjeve ka si qëllim sigurimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe për këtë qëllim, meqenëse Kushtetuta nuk e ka parashikuar pjesëmarrjen e ministrit në mbledhjet e KLP-së, por vetëm të KLGJ-së, duke pasur parasysh funksionin e ngjashëm të dy institucioneve ligjvënëse, ligji e ka parashikuar pjesëmarrjen e ministrit edhe gjatë mbledhjeve të KLP-së kur diskutohen çështjet për planifikimin strategjik dhe buxhetin, por pa të drejtë vote.
- Pretendimi për shfuqizimin e neneve 5 dhe 103 të ligjit është i pabazuar, pasi referimi në një ligj tjetër që parashikon rregulla të detajuara ka pasur si qëllim mospërsëritjen e normave juridike. Për sa kohë anëtari i KLGJ-së dhe KLP-së ka statusin e magjistratit, shkeljet disiplinore të parashikuara në ligjin nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” do të konsiderohen shkelje edhe për anëtarin e KLGJ-së dhe KLP-së.
- Pretendimi se neni 235 i ligjit bie në kundërshtim me Kushtetutën është i pabazuar. Organi kompetent për vlerësimin e kritereve ligjore dhe morale është KED-ja, e cila për njohuri specifike kërkon informacion dhe mbledhje dokumentacioni nga institucione të tjera. Për verifikimin e pasurisë ligjvënësi ka krijuar ILDKPKI-në, e cila ka kompetencë të kontrollojë dhe verifikojë pasuritë, si dhe t’ia kalojë informacionin KED-së.
- Subjekti i interesuar, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, paraqiti parashtrime me shkrim, duke argumentuar si vijon:
- Dispozitat që parashikojnë procedurat e emërimit të anëtarëve jogjyqtarë të KLGJ-së bien në kundërshtim me Kushtetutën. Në nenin 147 të saj është parashikuar një procedurë ekskluzive parlamentare. Kuvendi është organi ku paraqiten, vlerësohen dhe votohen kandidatët jogjyqtarë. Ligji e ka deformuar këtë procedurë, duke e kthyer në një sistem kooperimi institucional.
- Veprimtaria e Avokatit të Popullit gjatë procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve jogjyqtarë bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi del jashtë veprimtarisë së parashikuar nga neni 60/1 i Kushtetutës.
- Neni 5 i ligjit bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi i mungon qartësia. Termi “për aq sa gjen zbatim” lë hapësirë interpretimi dhe shton mundësinë e abuzimeve në praktikë.
- Neni 61/1/2 i ligjit bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Kushtetuta ka parashikuar se KLGJ-ja i ushtron kompetencat në mbledhje plenare me përbërje të plotë prej 11 anëtarësh. Komisionet e parashikuara nga ligji kanë rol lehtësues dhe nuk mund të kenë rol vendimmarrës për çështje të shprehura qartësisht në Kushtetutë. Mbledhja plenare nuk ka në kompetencë çështje të rëndësishme, si vlerësimin, transferimin dhe procedimet disiplinore të gjyqtarëve. Kjo kompetencë u është dhënë komisioneve, duke cenuar garancinë dhe pavarësinë e statusit të gjyqtarëve. Nga analiza e ligjit arrihet në përfundimin se ligjërisht KLGJ-ja nuk funksionon me përbërje të plotë sipas Kushtetutës, por çështje të rëndësishme, si ato të disiplinës, emërimit, transferimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve do të shqyrtohen nga anëtarët jogjyqtarë të komisioneve. Si rrjedhim, nenet 61, 66, 73 dhe 76 të ligjit bien në kundërshtim me Kushtetutën.
- Neni 36/3 i ligjit ku parashikohet zgjedhja e kandidatëve jogjyqtarë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë cenon të drejtën e punës. Kjo dispozitë parashikon se mund të kandidojnë për anëtarë të KLGJ-së vetëm pedagogët me kohë të plotë. Kushtetuta nuk bën dallim mes pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm të fakulteteve të drejtësisë.
- Shkolla e Magjistraturës hyn në kategorinë e institucioneve kushtetuese, pasi Kushtetuta i ka dhënë personalitet juridik kushtetues duke i njohur edhe kompetenca kushtetuese. Për rrjedhojë, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës” duhet të miratohet me 3/5-at e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
- Subjekti i interesuar Unioni i Gjyqtarëve nuk ka paraqitur parashtrime me shkrim.
- Subjekti i interesuar Shoqata Kombëtare e Prokurorëve nuk ka paraqitur parashtrime me shkrim.
- Subjekti i interesuar Unioni i Prokurorëve nuk ka paraqitur parashtrime me shkrim.
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
- Për legjitimimin e kërkuesit
- Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar çështjen e legjitimimit të kërkuesit (locus standi) si një nga aspektet kryesore që lidhen me inicimin e gjykimit kushtetues me objekt kontrollin abstrakt të normës juridike. Kushtetuta, në nenin 134/1 të saj, ka përcaktuar rrethin e subjekteve, të cilat legjitimohen të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, ndërsa kriteri i “detyrimit për të justifikuar interesin”, i përcaktuar në pikën 2 të po këtij neni, është interpretuar nga jurisprudenca kushtetuese si përcaktues në ndarjen e rrethit të subjekteve kushtetuese në dy kategori: subjekte të kushtëzuara dhe subjekte të pakushtëzuara. Në lidhje me legjitimimin e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, Gjykata në mënyrë të vazhdueshme ka vlerësuar se ky subjekt, i parashikuar në nenin 134/1/c të Kushtetutës, bën pjesë në subjektet që kanë të drejtë të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues për arsye të një interesi publik, pa u kushtëzuar me një interes subjektiv konkret. Interesi i këtyre funksionarëve publikë për të mbrojtur sistemin normativ dhe parimet shtetformuese, si konstitucionalizmi, shteti i së drejtës, demokracia, dinjiteti njerëzor, barazia sociale etj., të shpalosura në Kushtetutë, nuk është i kushtëzuar (shih vendimet nr.7, datë 24.02.2016; nr.19, datë 15.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
- Për sa më sipër, kërkuesi përfaqëson një subjekt të pakushtëzuar dhe si i tillë legjitimohet ratione personae dhe ratione materiae për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së dispozitave ligjore të kundërshtuara.
- Kërkuesi legjitimohet ratione temporis bazuar në nenin 50 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi kërkesa për pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera normative me Kushtetutën mund të paraqitet brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi.
- Për themelin e kërkesës
B.1. Për pretendimin e cenimit të parimit të hierarkisë së normave juridike
- Kërkuesi ka pretenduar se disa nene të ligjit objekt shqyrtimi cenojnë parimin e shtetit të së drejtës në këndvështrimin e parimit të hierarkisë së normave juridike. Konkretisht, nenet për të cilat kërkuesi pretendon se vijnë në kundërshtim me parimin e hierarkisë së normave parashtrohen si më poshtë:
- Kërkuesi pretendon se nenet 19-58 dhe 117-156 të ligjit, ku parashikohet respektivisht mënyra e përzgjedhjes e kandidatëve jomagjistratë për organet e KLGJ-së (nenet 19-58) dhe KLP-së (nenet 117-156), bien në kundërshtim me parimin e hierarkisë së normave kushtetuese. Në ligj gjatë procesit të përzgjedhjes janë parashikuar organe të cilat nuk parashikohen nga Kushtetuta, duke krijuar një sistem të ri në përzgjedhjen e kandidatëve jomagjistratë. Lidhur me kompetencat e Avokatit të Popullit kërkuesi ka pretenduar se pjesëmarrja e tij gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë që vijnë nga radhët e avokatisë cenon Kushtetutën. Institucionit të Avokatit të Popullit i janë shtuar kompetenca të reja të paparashikuara nga Kushtetuta.
- Kërkuesi ka pretenduar se nenet 61 dhe 159 të ligjit, ku parashikohen respektivisht kompetencat e mbledhjes plenare të KLGJ-së dhe të mbledhjes plenare të KLP-së, bien në kundërshtim me nenet 147/a/2 dhe 149/a të Kushtetutës. Sipas kërkuesit, komisionet e këtyre organeve kanë marrë kompetenca, të cilat Kushtetuta i parashikon shprehimisht si kompetenca të KLGJ-së dhe KLP-së, me përbërje të plotë prej 11 anëtarësh. Kushtetuta nuk lejon që ligji të transferojë vendimmarrjen e KLGJ-së dhe KLP-së tek komisionet e krijuara për funksione të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë.
- Gjithashtu kërkuesi ka pretenduar se neni 169/5 i ligjit, ku parashikohet e drejta e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLP-së dhe të komisioneve të përhershme të Këshillit kur diskutohen çështje për planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor, bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk parashikohet në nenin 149/a të saj. Ndërkohë, në nenin 147/a është parashikuar e drejta e ministrit për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLGJ-së kur diskutohen çështje për planifikim strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor.
- Kërkuesi ka pretenduar se nenet 243 deri në 275, si dhe neni 285 të ligjit, që parashikojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës, nuk mund të jenë pjesë e tij, pasi Shkolla e Magjistraturës nuk është organ i krijuar me Kushtetutë, si dhe nuk është institucion i parashikuar nga Kushtetuta. Shkolla e Magjistraturës nuk ka fituar personalitet juridik nga Kushtetuta dhe nuk ka kompetenca kushtetuese, por vetëm përmendet prej saj. Miratimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës me shumicë të cilësuar do të sjellë pamundësi miratimi me shumicë të thjeshtë në rast të ndryshimeve të mundshme për funksionimin e kësaj shkolle.
- Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor. Parimi i shtetit të së drejtës nënkupton veprimin e të gjitha institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi, si dhe supremacisë së Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. Rendi juridik nuk është një radhitje e barasvlershme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme vlefshmërie dhe në secilin prej këtyre niveleve qëndron një normë ose grup normash, duke përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Piramida e akteve normative, e sanksionuar në nenin 116 të Kushtetutës, përcakton marrëdhëniet midis normave juridike, të cilat bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike (shih vendimet nr.55, datë 27.07.2016; nr.16, datë 10.04.2015; 5, datë 05.02.2015; nr.5, datë 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
- Në preambulën e Kushtetutës dhe në nenin 4 të saj deklarohet parimi i shtetit të së drejtës, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Ky parim nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike (shih vendimin nr.16, datë 10.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
- Në nenin 4/3 të Kushtetutës parashikohet se dispozitat kushtetuese zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Sipas këtij parimi themelor kur rregulli kushtetues parashikohet shprehimisht, ai nuk mund të mënjanohet dhe as të tejkalohet, por duhet të zbatohet drejtpërsëdrejti. Përjashtimi kushtetues i parashikuar në këtë dispozitë nënkupton se normat kushtetuese mund edhe të mos gjejnë zbatim drejtpërsëdrejti, kur Kushtetuta ka ngarkuar posaçërisht organet shtetërore përkatëse për të nxjerrë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe në përputhje me hierarkinë e normave. Pra, Kushtetuta përmban dispozita që rregullojnë zbatimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota ose shteruese, pasi ajo nuk ka për qëllim të rregullojë hollësisht çdo çështje të organizimit të jetës politiko-shoqërore të një vendi, por vetëm parimet dhe kriteret bazë mbi të cilat duhet të mbështetet ajo. Edhe pse disa çështje që lidhen me rendin shtetëror mund të parashikohen në mënyrë të hollësishme prej saj, gjithsesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar nga ligje ose akte të tjera normative, sipas rastit (shih vendimin nr.22, datë 24.04.2015;2, datë 18.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
- Fryma dhe qëllimi i kushtetutëbërësit në lidhje me rregullimet kushtetuese nuk mund të anashkalohet dhe organi i vetëm i cili ka autoritetin të vlerësojë pajtueshmërinë e normave ligjore me ato kushtetuese është Gjykata Kushtetuese. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të arsyetimit të tyre. Arsyetimi që përdor Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka forcën e ligjit, çka buron nga autoriteti i këtij organi për të thënë fjalën e fundit në çështjet për të cilat të tjerët tashmë janë shprehur. Çdo qëndrim i kundërt krijon një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet institucionale (shih vendimin nr.20, datë 01.06.2011; nr.2, datë 18.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
B.1.1. Për pretendimin për shfuqizimin e neneve 19-58 dhe 117-156 të ligjit
- Gjykata në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë plenare vëren se pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e neneve 19-60 dhe 117-156 të ligjit objekt shqyrtimi nuk arriti të merrte shumicën e votave të gjyqtarëve prej 5 anëtarësh të kërkuar nga ligji. Sipas nenit 72/2 të ligjit 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Gjatë shqyrtimit të çështjes 4 gjyqtarë votuan për pranimin e kërkesës dhe 3 për rrëzimin e saj[2]. Nisur nga ky fakt, bazuar në nenin 73 të këtij ligji, për shkak të mosformimit të shumicës prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
B.1.2. Për pretendimet për papajtueshmëri me Kushtetutën të neneve 61 dhe 159 të ligjit
- Gjykata konstaton se në nenet 147/a dhe 149/a të Kushtetutës janë të parashikuara kompetencat e KLGJ-së dhe KLP-së. Në pikën 2 të tyre përcaktohet se ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë KLGJ-së dhe KLP-së. Në këto nene parashikohet se KLGJ-ja dhe KLP-ja organizohen dhe e ushtrojnë veprimtarinë në komisione ose në mbledhje plenare, duke përcaktuar në pikën 2 të nenit 61 kompetencat e mbledhjes plenare të KLGJ-së dhe në pikën 2 të nenit 159 kompetencat e mbledhjes plenare të KLP-së. Konkretisht, kompetencat e mbledhjes plenare, si organ, ku marrin pjesë të gjithë anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, sipas ligjit objekt shqyrtimi janë: a) miraton akte nënligjore normative, në zbatim të këtij ligji ose të ligjeve të tjera, me efekt të përgjithshëm detyrues mbi të gjithë gjyqtarët/prokurorët, administratën gjyqësore/të prokurorisë, personat privatë dhe organet publike; b) miraton akte për rregullimin e procedurave të brendshme të Këshillit; c) emëron dhe ngre në detyrë gjyqtarët/prokurorët mbi propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës; ç) vendos masën disiplinore të shkarkimit mbi gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme/mbi prokurorët e prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me dy të tretat e votave mbi propozimin e Komisionit Disiplinor; d) shqyrton ankimet kundër vendimeve të komisioneve, me përjashtim të atyre vendimeve që rrëzojnë vendimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimeve ose pushimin e hetimeve, sipas pikës 14 të nenit 62 të këtij ligji dhe pikës 13 të nenit 160; dh) miraton udhëzime të përgjithshme jodetyruese; e) miraton rregulla të detajuara për funksionimin e administratës së Këshillit; ë) miraton përbërjen e komisioneve të përhershme, të komisioneve të përkohshme, si dhe rregulla të detajuara për veprimtarinë e tyre; f) shqyrton ankimet kundër udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm ose të drejtuesve të prokurorive; g) miraton rregulla të detajuara mbi menaxhimin dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit nga institucionet e sistemit të prokurorisë në bashkëpunim me qendrën e teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë[3].
- Të gjitha kompetencat e tjera që nuk përmenden në këto pika ushtrohen nga komisionet, që janë organet nëpërmjet të cilave KLGJ-ja dhe KLP-ja organizohen dhe ushtrojnë funksione e tyre. Bazuar në nenet 62 dhe 160 të ligjit, komisionet e përhershme të KLGJ-së dhe KLP-së janë katër. Konkretisht: Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit; Komisioni Disiplinor; Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale; Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Këto komisione përbëhen nga tre anëtarë dhe pranë çdo komisioni caktohen edhe dy anëtarë zëvendësues. Komisionet ushtrojnë veprimtarinë dhe marrin vendime sipas fushave të tyre ose i propozojnë mbledhjes plenare të Këshillit miratimin e vendimeve që janë në kompetencë të kësaj të fundit.
- Këshillat mund të krijojnë komisione të përkohshme për trajtimin e çështjeve të veçanta, si në rastin e shqyrtimit të ankimeve kundër vendimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari. Në ndryshim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit ndaj vendimeve të komisioneve mund të ushtrohet ankim në mbledhjen plenare, vendimi i këtij komisioni të përkohshëm është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet para mbledhjes plenare. Vendimet e komisioneve merren me shumicë të votave, në prani të të gjithë anëtarëve, si dhe brenda muajit janar të çdo viti kalendarik komisionet e përhershme paraqesin në mbledhjen plenare raportin vjetor të veprimtarisë me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
- Gjykata konstaton se kompetencat, si transferimi i gjyqtarëve/prokurorëve, vendosja e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve/prokurorëve të të gjitha niveleve, propozimi Presidentit të Republikës i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, propozimi Kuvendit i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, propozimi dhe administrimi i buxhetit apo dhe miratimi i rregullave të etikës dhe mbikëqyrja e respektimit të saj, të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta, nuk janë parashikuar si kompetenca që ushtrohen respektivisht nga mbledhjet plenare të KLGJ-së dhe KLP-së. Si rrjedhim, Gjykata vlerëson se të gjitha kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta duhet të implementohen si të tilla në ligj dhe nuk mund t’u delegohen komisioneve.
- Gjykata thekson se si komisionet e përhershme edhe ato të përkohshme janë organizma ndihmës në varësi të KLGJ-së dhe KLP-së dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë atributet që Kushtetuta ua ka njohur në mënyrë të shprehur këtyre të fundit.
- Në përfundim, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit se nenet 61 dhe 159 të ligjit bien ndesh me Kushtetutën është i bazuar, e si i tillë duhet pranuar.
B.1.3. Për pretendimin për shfuqizimin e nenit 169/5 të ligjit
- Duke ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, Gjykata e vlerëson të bazuar edhe pretendimin për shfuqizimin e nenit 169/5 të ligjit.
- Kushtetuta e ka rikonceptuar KLP-në si një organ që garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Gjykata konstaton se në nenin 149/a të Kushtetutës, ku parashikohen funksionet e KLP-së, nuk është parashikuar kompetenca e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit. Në të kundërt, në nenin 147 të Kushtetutës parashikohet pjesëmarrja e ministrit, pa të drejtë vote, në mbledhjet e KLGJ-së kur diskutohen çështjet për planifikimin strategjik dhe buxhetin.
- Gjykata vlerëson se mosparashikimi nga Kushtetuta të pjesëmarrjes të ministrit të Drejtësisë gjatë mbledhjeve të KLP-së nuk përbën ometim kushtetues, pasi formulimi i nenit 149/a të Kushtetutës shpreh dhe synon të garantojë pavarësinë e organit të KLP-së në përgjithësi dhe të Prokurorisë në veçanti nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera, veçanërisht të atij ekzekutiv.
- Gjykata vëren se ligjvënësi duke parashikuar në nenin 169, pika 5 pjesëmarrjen e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësuesit të tij pa të drejtë vote gjatë mbledhjeve të KLP-së dhe të komisioneve të përhershme, tejkalon Kushtetutën duke cenuar parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave juridike.
- Gjykata vëren se rastet kur kushtetutëbërësi ka vlerësuar bashkëpunimin e organit të prokurorisë, KLP-së dhe pushtetit ekzekutiv i ka përcaktuar në nene të veçanta. Konkretisht, në nenin 148/b të Kushtetutës parashikohet se Prokurori i Përgjithshëm propozon dhe administron buxhetin e Prokurorisë me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa në nenin 149/a/d parashikohet se KLP-ja propozon dhe administron buxhetin e saj. Në nenin 169 të ligjit nr.115/2016, objekt shqyrtimi parashikohet se ministri i Drejtësisë koordinon zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe të strategjisë sektoriale të sektorit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë është gjithashtu përgjegjës për përgatitjen e projektakteve ligjore në fushën e drejtësisë penale, pasi ka marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ministri i Drejtësisë mund të paraqesë ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkelje disiplinore të pretenduara të prokurorëve, si dhe mund të kërkojë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike në Prokurorinë e Përgjithshme ose në zyrat e Prokurorisë. Ministri i Drejtësisë ose përfaqësues të tij mund të marrin pjesë si vëzhgues në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e Asamblesë së Personelit Akademik dhe të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e posaçme të drejtuesve të institucioneve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Në përfundim, Gjykata vlerëson se parashikimi ligjor lidhur me kompetencën e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësuesit të tij për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLP-së ose komisioneve të përhershëm është në tejkalim të Kushtetutës, si rrjedhim pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e nenit 169/5 është i bazuar dhe duhet të pranohet.
B.1.4. Për pretendimin për shfuqizimin e neneve 243 deri në 275 dhe 285 të ligjit për rregullimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës
- Kërkuesi ka argumentuar se këto rregulla nuk mund të jenë pjesë e ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pasi Shkolla e Magjistraturës nuk është organ i krijuar me Kushtetutë, si dhe nuk është institucion i parashikuar nga Kushtetuta.
- Doktrina dhe jurisprudenca kushtetuese e kanë bërë dallimin ndërmjet institucioneve kushtetuese, nga njëra anë, dhe institucioneve me rëndësi kushtetuese apo të parashikuara nga Kushtetuta, nga ana tjetër. Institucionet kushtetuese konsiderohen si elemente të domosdoshme dhe të pandashme të shtetit, sepse mungesa e njërit do të sillte ndalimin e veprimtarisë së plotë shtetërore dhe zëvendësimi i tyre me institucione të tjera nuk mund të mos shkaktonte ndryshime në mënyrë rrënjësore të formës së shtetit. Struktura bazë e këtyre institucioneve përcaktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë e të plotë nga Kushtetuta. Megjithatë, Gjykata çmon të nevojshme të theksojë se ndërsa institucionet kushtetuese janë përcaktuar në Kushtetutë, jo të gjitha institucionet e parashikuara në Kushtetutë konsiderohen si “institucione/organe kushtetuese”. Pra, dallimi mes institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta, pavarësisht nga fakti i përmendjes shprehimisht prej saj, qëndron në faktin se të parat janë organe të nevojshme e të pashmangshme në përcaktimin e formës së shtetit e të qeverisjes, ndërsa të dytat kontribuojnë për përcaktimin e rregullimit demokratik kushtetues dhe si organe ndihmëse nuk janë thelbësore për strukturën kushtetuese të shtetit (shih vendimin nr.25, datë 05.12.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka arritur në konkluzionin se Kushtetuta, në nenin 81, pika 2, shkronja “a”, me termin “institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta”, ka pasur parasysh një shtrirje të gjerë të tij, duke përfshirë në të njëjtin rregullim procedural miratimin e ligjeve, si për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese, ashtu edhe për institucionet e parashikuara prej saj. Në këtë rregullim kushtetues nuk përfshihen vetëm institucionet kushtetuese, sipas kuptimit të dhënë më lartë, por edhe ato institucione të parashikuara nga Kushtetuta, të cilat nëpërmjet saj kanë fituar si personalitetin juridik, ashtu edhe kompetencën kushtetuese. Jo çdo institucion që përmendet në Kushtetutë duhet të përfshihet domosdoshmërisht në procedurën e miratimit të ligjit sipas nenit 81, pika 2, shkronja “a”. Ky qëndrim është rrjedhojë e faktit të ekzistencës së dallimit thelbësor ndërmjet institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta dhe institucioneve që vetëm sa përmenden prej saj. Kuptimi i termit “institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta” lidhet me vullnetin e kushtetutëbërësit për t’i dhënë institucionit personalitet juridik, me qëllim përmbushjen prej tij të kompetencës specifike kushtetuese. Në Kushtetutë përmenden edhe institucione të tjera, të cilat nuk pajisen prej saj me kompetencë kushtetuese (shih vendimin nr.25, datë 05.12.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjykata Kushtetuese në jurisprudencës e saj ka mbajtur qëndrimin se Shkolla e Magjistraturës nuk përfshihet në rrethin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta. Ajo përfaqëson një institucion publik, që gëzon cilësinë e personit juridik të krijuar me Ky institucion gëzon autonomi administrative, akademike dhe financiare për realizimin e qëllimeve dhe të detyrave të caktuara nga kuadri ligjor në fuqi (shih vendimin nr.20, datë 15.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
- Por nga ana tjetër i ndryshëm është pozicioni që i është dhënë Shkollës së Magjistraturës me ndryshimet kushtetuese. Nga përmbajtja e dispozitave të Kushtetutës Shkollës së Magjistraturës i është dhënë një personalitet juridik, duke e njohur si të vetmin institucion që bën përzgjedhjen paraprake të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, kompetenca lidhur me testimin e këshilltarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të ndihmësve ligjorë pranë gjykatave administrative dhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe edukimin njëvjeçar të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të cilëve jepet masa disiplinore për ndjekjen e një trajnimi të detyrueshëm dhe më pas testimin e tyre.
- Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se miratimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Magjistraturës me një shumicë prej 3/5-at e votave të anëtarëve të Kuvendit nuk krijon antikushtetutshmëri, por synon garantimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërinë e Shkollës së Magjistraturës, duke e vendosur në nivelin e organeve, funksionimi dhe organizimi i të cilave rregullohet me ligj të posaçëm për shkak të funksioneve të saj specifike në raport me institucionet e tjera të arsimit. Si rrjedhim, pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e neneve 243 deri 275 të ligjit është i pabazuar dhe si i tillë duhet rrëzuar.
- Për pretendimin e cenimit të parimit të sigurisë juridike
- Kërkuesi ka pretenduar se nenet 5 dhe 103 të ligjit, në të cilat parashikohet se dispozitat e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, për shkeljet disiplinore të magjistratëve aplikohen për aq sa gjejnë zbatim edhe për anëtarin e KLGJ-së dhe për anëtarin e KLP-së, kanë cenuar parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike, pasi nuk evidentojnë qartë rastet që përbëjnë shkelje disiplinore.
- Subjekti i interesuar Kuvendi ka prapësuar se referimi në një ligj tjetër, që parashikon rregulla të detajuara, ka pasur si qëllim mospërsëritjen e normave juridike. Për sa kohë anëtari i KLGJ-së dhe KLP-së ka statusin e magjistratit, shkeljet disiplinore të parashikuara në ligjin nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” do të konsiderohen shkelje dhe për anëtarin e KLGJ-së dhe të KLP-së.
- Gjykata në kuadër të respektimit të parimit të sigurisë juridike ka theksuar se vetë siguria juridike, si element i shtetit të së drejtës, ka si kërkesë të domosdoshme që ligji në tërësi apo dispozita të veçanta të tij, në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qarta, të përcaktuara dhe të kuptueshme (shih vendimin nr.9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Për të kuptuar dhe zbatuar drejt parimin e sigurisë juridike kërkohet, nga njëra anë, që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të dhe, nga ana tjetër, që vetë ligji të mos qëndrojë statik nëse duhet t’i japë formë një koncepti. Një rregullim i pasaktë i normës ligjore, që i lë shteg zbatuesit t’i japë asaj kuptime të ndryshme dhe që sjell pasoja, nuk shkon në përputhje me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon vetë norma (shih vendimet nr.36, datë 15.10.2007; 52, datë 01.12.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjithashtu, Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se mungesa e harmonizimit të dispozitave të një ligji me ato të ligjeve të tjera mund të mos krijojë në vetvete antikushtetutshmëri, por kur paqartësia krijon probleme të tilla që çojnë në zbatim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në cenim të parimit të shtetit të së drejtës e të sigurisë juridike, atëherë nuk mund të pranohet se këto norma janë të pajtueshme edhe me frymën e Kushtetutës (shih vendimin nr.14, datë 22.05.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
- Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se nisur nga rëndësia që paraqet çështja e përgjegjësisë disiplinore në organe kushtetuese, si KLGJ-ja dhe KLP-ja, shprehjet e përdorura nga ligjvënësi në nenin 5 “mbi shkeljet disiplinore të magjistratëve aplikohen për aq sa gjejnë zbatim edhe për anëtarin e KLGJ-së” dhe në nenin 103 “mbi shkeljet disiplinore të magjistratëve zbatohen për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet e nevojshme edhe mbi anëtarin e KLP-së” nuk sigurojnë qartësinë dhe garancinë kushtetuese të këtyre organeve, duke krijuar premisa për arbitraritet në zbatimin e tyre në praktikë.
- Në zbatim të frymës së parimit të sigurisë juridike, Gjykata çmon se për shkak të specifikës dhe statusit të anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, përcaktimi i përgjegjësive disiplinore në mënyrë shteruese në nenet 5 dhe 103 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” është detyrim ligjor që rrjedh nga Kushtetuta. Gjykata çmon se mosparashikimi ose referimi te një ligj tjetër cenon statusin e këtyre organeve kushtetuese, që duhet të kenë siguri juridike gjatë qëndrimit në detyrë. Si rrjedhim, Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e neneve 5 dhe 103 të ligjit objekt shqyrtimi është i bazuar.
Ç. Për cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve
- Kërkuesi ka pretenduar se neni 235 i ligjit bie në kundërshtim me nenet 4, 7 dhe 149/d të Kushtetutës. Në këtë nen parashikohet kompetenca e KED-së për të kryer verifikimet e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pjesë e vlerësimit është edhe vlerësimi i pasurisë së kandidatëve, të cilin ligji parashikon se kryhet pa asnjë mbikëqyrje nga ILDKPKI-ja dhe jo nga KED-ja. Si rrjedhim, sipas kërkuesit ky rregullim cenon parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, pasi për vlerësimin e kritereve të kandidatëve ILDKPKI-ja ndërhyn në kompetencat e KED-së.
- Subjekti i interesuar Kuvendi ka prapësuar se organi kompetent për vlerësimin e kritereve ligjore dhe morale është KED-ja, e cila për njohuri specifike kërkon informacion dhe mbledhje dokumentacioni nga institucione të tjera. Për verifikimin e pasurisë ligjvënësi ka krijuar ILDKPKI-në, e cila ka kompetencë të kontrollojë dhe verifikojë pasuritë, si dhe t’ia kalojë informacionin KED-së.
- Gjykata në jurisprudencën e saj, duke iu referuar nenit 7 të Kushtetutës, që parashikon parimin e ndarjes së pushteteve, ka theksuar se ky parim në demokraci si formë e qeverisjes synon kryesisht të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një organi apo të personave të caktuar, gjë që praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij. Nëpërmjet këtij parimi kushtetutëbërësi ka përcaktuar për secilin nga organet që përfaqësojnë këto pushtete kompetencat që përputhen i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë këto kompetenca janë të përcaktuara nga normat kushtetuese, është e palejueshme që një organ tjetër t’i marrë ose t’i anashkalojë ato me vullnetin e tij (shih vendimet nr.24, datë 09.06.2011; 19, datë 03.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Ky parim shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që sipas rastit do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese (shih vendimin nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjithashtu, kjo Gjykatë ka theksuar se krijimi i raporteve të balancuara ndërmjet pushteteve, si dhe organeve të tjera kushtetuese duhet të orientohet nga standardi kushtetues i bashkëpunimit. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe fryma e Kushtetutës pranojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërmjet tyre, por kjo duhet të organizohet në mënyrë të tillë që parimet e lartpërmendura të mos shkelen (shih vendimet nr.10, datë 06.03.2014; nr. 20, datë 09.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese).
- Në çështjen konkrete kërkuesi ka pretenduar për ndërhyrje në kompetencat e KED-së nga ILDKPKI-ja për vlerësimin e kritereve të kandidatëve. Gjykata konstaton se bazuar në nenin 235 të ligjit pas dërgimit të emrave të kandidatëve ose paraqitjes së shprehjes së interesit nga kandidatët, KED-ja i pajis ata me formularët për deklarimin e pasurisë dhe të interesave financiarë. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e formularëve, kandidatët i dorëzojnë të plotësuara pranë ILDKPKI-së. Ky institucion, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, kontrollon saktësinë dhe vërtetësinë e formularëve të deklarimit të pasurisë dhe të interesave financiarë të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
- Gjykata çmon se parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve gjen zbatim në raportin ndërmjet organit të KED-së dhe ILDKPKI-së gjatë procesit të vlerësimit të kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si rrjedhim pretendimi i kërkuesit për shfuqizimin e nenit 235 të ligjit nr.115/2016 është i pabazuar dhe si i tillë duhet rrëzuar.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/a dhe 134/1/c të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
V E N D O S I:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës[4].
– Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 5, të nenit 61, të nenit 103, të nenit 159 dhe të nenit 169, pika 5 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
– Rrëzimin e kërkesës për pretendimet e tjera.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
[1] Fletore Zyrtare nr.231, datë 01 dhjetor 2016.
[2] Votuan për pranimin e kërkesës gjyqtarët: Vladimir Kristo, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo. Votuan për rrëzimin e kërkesës gjyqtarët: Bashkim Dedja, Vitore Tusha dhe Fatmir Hoxha.
[3] Kompetencat e parashikuara në shkronjat “f” dhe “g” të nenit 159 janë vetëm për mbledhjen plenare të KLP-së.
[4] Gjyqtarët Vladimir Kristo, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo votuan edhe për shfuqizimin e neneve 19 deri 58, si dhe 117 deri 156 të ligjit objekt shqyrtimi.
KOHA JONË SONDAZH

