Zëvendësoi Tahirin, por Spartak Braho nuk mori miratimin e Këshillit të Mandateve

Saimir Tahiri nuk është më deputet, dhe vendin e tij në Kuvend do ta merrte Spartak Braho, si kandidati i radhës në listën shumë-emërore të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.

Vendimi erdhi pas riverifikimit që administrata e KQZ-së i bëri formularit të vetë-deklarimit të Spartak Brahos, në funksion të ligjit për dekriminalizimin.

Braho do të rikthehej në Parlament, pas afro një viti, pasi ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dha dorëheqjen nga mandati, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë, në lidhje me akuzat për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Edhe pse Braho do të betohej në Kuvend në seancën e 17 majit, ajo që bie në sy gjatë procedurës rutinë parlamentare për zëvendësimin e deputetëve, është fakti se ish-këshilltari i Kryeminstrit Edi Rama, nuk arriti të merrte votëbesimin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve në mbledhjen e tij të 14 majit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Procesverbali

Duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes në fjalë, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes, kryeparlamentari Gramoz Ruçi shpjegon dhe arsyet se pse Këshilli i Mandateve nuk merr dot një vendim, duke ia kaluar atë deputetëve të Kuvendit në seancë plenare, si e mundësia e vetme për të legjitimuar mandatin e deputetit për Spartak Brahon.

“Siç ju kemi njoftuar, në rend të ditës kemi verifikimin e mandatit të deputetit Spartak Braho, i shpallur deputet i Kuvendit të Shqipërisë me vendimin nr. 24, datë 11.05.2018 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Siç jeni në dijeni, deputeti i PS-së, zoti Saimir Tahiri ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Pas heqjes dorë nga mandati, Kuvendi në mbështetje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, i është drejtuar KQZ-së për ta njoftuar për vakancën e krijuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga ana e tij, me vendimin nr. 24, datë 11.05.2018 i ka dhënë mandatin e deputetit, kandidatit vijues të subjektit politik Partia Socialiste në zonën zgjedhore të qarkut të Tiranës, zotit Spartak Braho. Në mbështetje të nenit 13, pika 5 të Rregullores, Këshilli për Rregullore, Mandatet dhe Imunitetin verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 30 ditëve.

A ka ndonjë mendim, ndonjë vërejtje apo ndonjë sugjerim nga anëtarët e Këshillit, në lidhje me verifikimin e mandatit të ri të dhënë nga KQZ-ja? Nuk ka. Atëherë, jemi dakord. Keni edhe projektin e raportit përpara, ashtu si është rregulli. Ne nuk mund të marrim një vendim këtu për shkak të mungesës së përfaqësuesve të tjerë, anëtarë të opozitës të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Pjesa që merr pjesë në mbledhje nuk ka vërejtje. Atëherë, siç është bërë precedenti parlamentar në të gjitha rastet e verifikimit të mandatit të deputetit të ri, kur ky Këshill për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk arrin të funksionojë me kuorumin përkatës, çështja i përcillet për kompetencë seancës plenare. Kjo ishte çështja e rendit të ditës. Raporti të bëhet gati për seancën plenare, që vijon në datën 17.5.2018 dhe të njoftohet edhe zoti Braho për të qenë prezent në seancë për të bërë betimin”- sqaroi kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

/Koha Jonë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?