Home Aktualitet Roli i Ambasa...

Roli i Ambasadës së BE në Tiranë në seleksionimin e mediave pranë Brukselit

591
0
Nga Daniel Muçaku (kryeredaktor i “KOHA JONE”)
Sherrnaja në Top Channel mes drejtuesve të këtij televizioni dhe stafit te emisionit “Top Story”, të kryesuar nga Endrit Habilaj ka sjellë një fakt që media nuk e dinte. Pra, që ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë dhe pikërisht i ndershmi Soreca kanë ndikuar në dhënien e një shume të madhe prej 165 mijë euro “Top Story”.
Nuk kemi asgjë se pse ua ka dhënë këtë shumë, pasi kolegët e Top Channel janë profesionistë.
Por a ka emisione dhe media të tjera profesioniste kjo Shqipëri, apo duhet ta kesh mirë me ambasadorin e BE që të përfitosh qindra mijëra euro?
Pse ambasada e BE në Tiranë nuk bën publike dhe të hapura donacionet e taksapaguesve europianë, por bën sikur mbështet median e lirë në Shqipëri e nga ana tjetër jep me “mik” donacione?
Po pse Klodiana Lala dhe Artan Hoxha apo edhe të tjerë nuk janë gazetarë investigues dhe profesionistë, që rrezikojnë edhe jetën, por a nuk mund të jepte ambasada e BE dhe sektorët pranë Brukselit që mbulojnë mediat, edhe këtyre donacione për emisionet e tyre?
Po emisioni “Fiks fare” apo “Stop”, dy emisione investigative nuk mund të donatohen?
Ka informacione të besueshme se BE po jep shuma të mëdha në euro për disa portale proqeveritare dhe kosovare që punojnë për Tiranën zyrtare, ndërkohë që mediat tradicionale apo edhe të reja të pavarura në Tiranë, rrijnë duke kërkuar lekë për të paguar rrogat e gazetarëve.
Ambasadori në ikje, Soreca, mund të na bëjë leksion kapitalist se “kjo është konkurrencë e lirë dhe të mbijetojë kush mundet”!
E saktë kjo, por nëse qeveria fut hundët dhe ndihmon në forma të ndryshme mediat pranë saj, a nuk është shkelje e konkurencës së lirë, zoti ambasador në ikje?
Anila Basha, gazetare e mirënjohur në Shqipëri, ka publikuar këtë status sot: “Domethenë, Bashkimi Evropian i ka dhënë 165 mijë euro një emisioni televiziv në TCH, te cilin vetë stafi drejtues i TCh e akuzon se ka vënë gjoba. Dmth gjobat u vunë me burimet financiare te Bashkimit Evropian!
Ja mirëmengjesi për optimistët dhe për të gjithë ata si puna ime që kërkojmë ditë pas dite lekë për të dhenë rrogat, ndershmërisht”.
Problemi i sherrit në Top Channel nxori të vërtetën e fshehur se si ambasada e BE në Tiranë ndikon në Bruksel vetëm për të donatuar cilin dëshiron ambasada e jo bazuar në parime strikte mediatike.
Nuk duam të hyjmë fare se cilin largon apo cilin sjellë drejtues një media e caktuar kombëtare, pasi në rastin konkret Sokol Balla është gazetar shumë i njohur profesionist, siç mbeten edhe parardhës të tij, por ajo çka deklaroi më pas Habilaj është akuzë e rëndë e që siç duket TCH ka bërë padi ndaj tij.
Duke vazhduar me manovrat dhe miqësitë e ambasadës së BE në Tiranë ajo mund të reagojë duke thënë se kjo bëhet me iks aplikim etj etj, por këto nuk i ha njeri, pasi e dijmë të gjithë si vepron ambasada në fjalë apo ambasada të tjera në Tiranë.
Ambasada e BE në Tiranë duhet të na sqarojë publikisht kush dhe sa miliona euro janë dhënë në këto 10 vitet e fundit nga Brukseli në forma “projektesh” për median shqiptare apo të tjerë që vijnë dhe na japin leksione si bëhet media e pavarur!
Dhe pyetja e dytë për ambasadën e BE, lidhet me atë që projektet jepen vetëm mediave afër qeverisë apo edhe atyre opozitare? Po mediat tradicionale që kanë nxjerrë një aradhë gazetarësh me emër a janë në listën e ambasadës kur jep apo bën seminare?
Top Channel është televizion i madh, por pa dashje na ka bërë një shërbim të madh për të kuptuar rolin e ambasadës së BE në Tiranë, e cila shumëherë punon për qeveritë dhe pakherë për oponencën dhe mediat e lira.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit