Agron Llakaj feston ditëlindjen, sa vjeç bën sot mjeshtri i humorit
Vitet në skenë por edhe në jetë kanë ecur pa u ndierë për aktorin Agron Llakaj. Ditën e sotme, aktori feston ditëlindjen e 64.
Jo vetëm në profesionin e tij, por Agron Llakaj ka ditur të jetë pranë publikut duke dhënë shembullin e kryefamiljarit, gjyshit, bashkëshortit dhe babait perfekt. Kjo e ka bërë që shqiptarët t’i bëjnë gjithmonë urime zemre, në çdo rast feste e gëzimi për të.
Një nga karakteristikat e tij si aktor është imitimi i personaliteteve të njohura të politikës, veçanërisht portretizimi i politikanit të karrierës, Sali Berisha.
Galeria e personazheve të Agron Llakaj është e pafundme. Ai ka veshur kostumin e shumë karaktereve, të veteranit të luftës, policit, politikanit, kriminelit e deri të grave plaka.
Edhe sot vazhdon të mishërojë fshatarin apo zyrtarin e paaftë, të riun apo plakun mburravec, politikanin e korruptuar dhe gënjeshtar me aq mjeshtëri në të gjithë elementët e një personazhi, si gjestet apo dialekti, gjithnjë në kufijtë e groteskut.
Misioni i Agron Llakaj është i pandryshueshëm, t’i bëj njerëzit të mendojnë përmes së qeshurës.