Kate Middleton shtrohet në spital dhe i nënshtrohet një operacioni
Princesha e Uellsit i është nënshtruar një operacioni abdominal dhe si rrjedhojë do të qëndrojë dy javë në spital.
Pallati Kensington tha se procedura ishte e planifikuar dhe e suksesshme, por princesha nuk pritet të rifillojë detyrat mbretërore për muaj të tërë.
Pallati nuk bëri të ditur detaje të mëtejshme rreth gjendjes së saj, por tha se nuk ka lidhje me kancerin.
Menjëherë pas kësaj, Pallati Buckingham zbuloi se mbreti Charles III do të merrte trajtim për një prostatë të zmadhuar.
Gjendja e tij është beninje dhe ai do të vizitojë spitalin javën e ardhshme, thuhet në deklaratë.
Në njoftimin për Catherine, 42 vjeç, Kensington Palace tha se ajo dëshironte të kërkonte falje për shtyrjen e angazhimeve të planifikuara.
“Bazuar në këshillat aktuale mjekësore, ajo nuk ka gjasa të kthehet në detyrat publike deri pas Pashkëve”, thuhet në një deklaratë.
Ndërkaq, Princi i Uellsit nuk do të kryejë asnjë detyrë zyrtare teksa gruaja e tij është në spital ose menjëherë pasi ajo të dalë nga spitali.
Siç është praktikë standarde për anëtarët e familjes mbretërore, pallati ka zbuluar pak detaje rreth gjendjes së princeshës dhe nuk do të japë një koment të vazhdueshëm mbi shërimin e saj.
Por nga kohëzgjatja që pritet të qëndrojë në spital Katerina dhe nga toni i deklaratës së pallatit duket qartë se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë.
Operacioni – i cili u zhvillua të martën – ishte mjaft i rëndësishëm për ta mbajtur atë në spital deri në dy javë dhe pritet që rikuperimi mund të zgjasë deri në tre muaj.
Shumë kushte të vogla mund të trajtohen dhe pacienti të dërgohet në shtëpi menjëherë pas kësaj.
Princesha kishte një axhendë të plotë në dhjetor dhe nuk kishte asnjë tregues se ajo nuk ishte mirë gjatë daljeve publike.
Një deklaratë nga pallati tha se princesha “vlerëson interesin që kjo deklaratë do të gjenerojë” dhe theksoi se ajo dëshiron që informacioni i saj personal mjekësor të mbetet privat.
“Ajo shpreson që publiku do ta kuptojë dëshirën e saj për të ruajtur sa më shumë konfidencialitet për fëmijët e saj.”
Kensington Palace tha se do të sigurojë përditësime vetëm kur të ketë informacione të reja të rëndësishme për të ndarë.
Catherine po rikuperohet në Klinikën e Londrës, pranë Regent’s Park në Londrën qendrore, spitali më i madh privat i pavarur në Mbretërinë e Bashkuar.
Kamerat televizive dhe reporterët u panë duke u mbledhur pranë spitalit pas njoftimit të mërkurën pasdite, me një numër oficerësh policie gjithashtu të vendosur në mënyrë diskrete nëpër rrugët pranë ndërtesës.