“Ora e Muzes Lisus”, shpallen 3 fituesit për poezinë më të mirë
“Ora e Muzes Lisus” në edicionin e 12, mblodhi në Lezhë poetë e krijues nga mbare trojet shqiptare. 64 poetë prezantuan krijimet e tyre të reja dhe i interpretuan ato për pranishmit dhe jurinë. Gjithçka nisi me himnin e krijuar nga Gjergj Fishta, si pjesë e aktiviteteve në përkujtim të ditëlindjes së poetit.
Poeti dhe botuesi Abdulla Zeneli tha se “Ora e Muzës” mban gjallë jetën kulturore dhe poezinë, por është vazhdimësi e traditës së mirë që ka Lezha në poezi. “Është një mundësi e madhe që në njëfarë mënyre të shkëmbejmë të arriturat në fushën e poezisë, por edhe forcojmë lidhjet, të vazhdojmë traditën”.
Anëtarja e jurisë Suela Bala tha se krijimet e prezantuara ishin jashtë klisheve e jashtë folklorizmave ndaj edhe aktiviteti shënon një gur themeli të vazhdimësisë së kësaj tradite.
“Ora e Muzës shënon një tjetër gur themeli të rëndësishëm për çfarë i pret letrat shqipe me poetët e spikatur por edhe ata të rinjtë që debutojnë me shumë dinjitet”.
Kryetari i Klubit të Letrave Ndoc Gjetja, organizator i aktivitetit, tha se pjesëmarrja tregon për rëndësinë që ka marrë ‘Ora e Muzës’ në Lezhë.
Juria e përbërë nga kryetar Primo Shllaku dhe anëtare Suela Bala e Salvador Gjeçi përzgjodhën si fitues të këtij edicioni Vlora Ademi nga Prishtina, Mario Palokë nga Lezha e Marsela Neni nga Elbasani.