“Abissnet Superiore” drejt fundit, Starova: Kampionati shumë interesant, “Final Four” do të jetë spektakël
Emocionet në kampionatin “Abissnet Superiore” vijnë gjithnjë në rritje, teksa sezoni i rregullt po shkon drejt fazës vendimtare. Me vetëm tre javë të mbetura deri në përfundim, gara është bërë më e fortë se kurrë, pasi të dhjeta skuadrat vijojnë të luftojnë për objektivat e tyre.
Interesi i lartë dhe rivaliteti i fortë që ka karakterizuar këtë edicion konfirmohet edhe nga specialistë të futbollit. Në një prononcim për fshf.org, Sulejman Starova vlerëson nivelin e kampionatit dhe e cilëson fazën “Final Four” si një moment kulmor për futbollin shqiptar.
“Jam i bindur që “Final Four” do të jetë një spektakël, sepse nisem edhe nga dy ndeshjet e fundit. Nivel i kënaqshëm me dy kryevepra: derbi, vitrina e futbollit shqiptar, ku i kishte të gjitha, spektakël i vërtetë, ambienti, atmosfera, tifozët, spektakli gjatë 90 minutave. Një ndeshje që i kishte të gjitha: gola, ritëm, luftë, duele, vendosje të mirë të skuadrave në fushë, kishte edhe përmbysje rezultati që e bëri shumë emocionale.
Po kështu, ndeshja e dy skuadrave që kryesojnë, dy më të mirat, AF Elbasani dhe Vllaznia, ishte gjithashtu fantastike. Me rregullin që funksionon, ku përgjysmohen pikët, sigurisht që për të dalë kampion kjo është ideja e të dy skuadrave që u ndeshën.
Vazhdon gara për vendin e katërt mes Dinamos dhe Partizanit. Kur të gjitha skuadrat luftojnë deri në ditën e fundit për të plotësuar objektivat, kjo është një gjë fantastike.
Faktet janë që kampionati është bërë shumë interesant. Skuadrat elitare do të përplasen në “Final Four”. Do të jetë një spektakël dhe jam i sigurt që stadiumi, në të gjitha ndeshjet, do të jetë me numër të konsiderueshëm spektatorësh”, përfundon Sulejman Starova.
KOHA JONË SONDAZH

