“Autobusi nuk parkohet”, të rinjtë në lupën e Panuccit: Po vëzhgojmë
Aventura e Kombëtares së Futbollit në fazën e eliminatorëve për Botërorin “Rusi 2018”, u mbyll në vendin e tretë me 13 pikë të fituara nga 10 ndeshje. 6 prej ndeshjeve nën pankartën e ish-tranjerit De Biasi, dhe katër të mbyllura me disiplinën e Christian Panuccit. “Kombëtarja kuqezi duhet të jetë më agresive në sulm”.
Panucci në një konferencë për shtyp, theksoi se skuadra ka dhënë ndjenjësinë që dëshiron të guxojë dhe të provojë. “Unë i pranoj kritikat, por nuk shqetësohem shumë tani për ndryshimet në formacion”, tha Panucci, duke vlerësuar se ndeshjet e luajtura deri më tani i kanë dhënë mundësinë të eksperimentojë për të përgatitur ekipin për “Euro 2020”, duke shtuar më pas “deri në shtatorin e ardhshëm do të kemi kohë të mjaftueshme”.
Sa i takon lojës, Panucci është i bindur; autobusi nuk do të parkohet. “Unë do të punoj vetëm për rrugën që të luajmë futboll. Kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2, apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do t’i luajmë ndeshjet tona me kurajë, sepse nëse Maqedonia barazoi në Itali, ne ishim pranë fitores në Maqedoni”, deklaroi ai.
Risitë
Panucci i ka idetë e qarta, edhe pse është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, sidomos ndaj Spanjës dhe Italisë, por…”Tani do të udhëtoj për të provuar të gjej ndonjë lojtar të ri, sepse diçka duhet detyrimisht ta ndryshojmë. Cikalleshi, Kukeli, Kaçe apo Xhaka u sollën shumë mirë në grumbullim, si profesionistë të vërtetë. Pavarësisht faktit që Taulanti nuk u grumbullua në fillim dhe asaj që ndodhi, ai ishte korrekt dhe këta janë lojtarë të rëndësishëm”, deklaroi trajneri i kuqezinjëve.
Objektivi kryesor i Panuccit janë të rinjtë dhe për këtë do të ndjekë personalisht nga afër ndeshjen e U19 në Selman Stermasi dhe më pas të U21 në Elbasan, ndërsa nën vëzhgim thotë se ka edhe Sabien Lilajn e Skënderbeut. “Do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do t’i testojmë në ndeshjet miqësore për të vlerësuar nivelin e tyre. Kemi një vit kohë për të ndjekur të gjithë lojtarët dhe për t’u përgatitur. Janë 4-5 lojtarë edhe nëpër Europë, madje edhe në liga të dyta”, u shpreh ai.
Xhaka
Taulant Xhaka u “internua” nga Gianni De Biasi, e marrëdhëniet e tij me këtë fundit arritën në atë pikë sa askush nuk e donte më bashkëpunimin me njëri-tjetrin, por me Christian Pannucin, lojtari i Bazelit duket se ka një marrëdhënie tjetër. Gjatë konferencës për shtyp, të mbajtur të martën paradite, Panucci vlerësoi pozitivisht Xhakën, pavarësisht se ia kishin përshkruar si një personazh jo të mirë. “Edhe këtu më thanë për Xhakën, por është profesionist serioz. Me Xhakën jemi mbyllur në të njëjtën dhomë. Jemi parë sy më sy dhe u binda që ai nuk më tradhton, nëse e bën mbetet jashtë. Të gjithë më thoshin “Jo, ka një kokë”. Më erdhi keq që nuk e futa kundër Italisë, por para se të vendos për lojtarët do të më duhet t’i njoh”, u shpreh Pannuci.
KOHA JONË SONDAZH

