Barcelona “poker” La Coruna-s, Messi 11 metra larg “apelit”
Barcelona nuk di të ndalët në rrugën drejt titullit kampion.
Katalanasit mundën pastër në “Camp Nou” 4-0 Deportivo La Coruna-n.
Një sfidë e dominuar gjatë gjithë 90 minutëshit nga blaugranasit, ku edhe pse mungoi “apelit” rrjeta e yllit argjentinas Messi me “pleshtin” që humbi një 11 metërsh në minutën e 70-të, 5 herë “Topi i Artë” i dha doza spektakli takimit.
Goli vonoi për të besuarit e Valverde, me Luis Suarez që zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë, falë altruizmit të Messi-t, me këtë të fundit që pasi stopoi me gjoks topin, ia serviri sferën uruguajanit, me “El Pistolero” që nuk fali.
Pësimi i golit prishi ekuilibrat e miqve që pas 12 minutash u detyruan të nxjerrin për herë të dytë topin nga rrjeta, pas goditjes së Paulinho-s.
Edhe fraksioni i dytë ishte një fotokopje e së parës, me Suarez që në minutën e 47-të shënoi golin e tretë për Barcelonën dhe të dytin personal, ndërsa pokerin e mbylli Paulinho, që konkretizoi në gol një aksion të rrjedhshëm të katalanasve, me topin që u përplas në shtyllë dhe shkoi në këmbët e mesfushorit që e kishte të lehtë për ta shtyrë për herë të dytë drejt portës së Ruben.
Me këtë fitore Barcelona vazhdon e qetë rrugën drejt titullit, me katalanasit që mbajnë vendin e parë të shkëputur 6 pikë nga ndjekësit e Atletiko Madrid ndërsa skuadra nga La Coruna pozicionohet e 17-ta me 15-të pikë.
KOHA JONË SONDAZH

