Bayern Munich synon një tjetër Kvaratskhelia, në provë vëllai i yllit të PSG-së
Bayern Munich mund të afrojë një tjetër talent nga familja Kvaratskhelia. Bëhet fjalë për Tornike Kvaratskhelia, vëllain më të vogël të yllit të Paris Saint-Germain, Khvicha Kvaratskhelia.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund, i cili pranoi se talenti i ri gjeorgjian është stërvitur së fundmi me akademinë e klubit bavarez.
“Po, vëllai i Kvaratskhelias është stërvitur me ne në kampus. Ka talent dhe potencial të madh. Të thuash tani se mund të bëhet aq i fortë sa Khvicha do të ishte e tepruar, por është një lojtar interesant dhe do të shohim si do të zhvillohet situata”, deklaroi Freund para ndeshjes ndaj Wolfsburg.
Sipas mediave gjermane, lojtari i lindur në vitin 2010 ka luajtur tashmë me ekipin U17 të Bayernit në një ndeshje miqësore kundër “Global Academy”, një skuadër talentesh e drejtuar nga legjenda bavareze Klaus Augenthaler.
Në fitoren 3-0 të Bayernit, Tornike la përshtypje shumë pozitive falë teknikës së tij dhe arriti të shënojë edhe një gol.
Megjithatë, një transferim i menjëhershëm në Gjermani mbetet i komplikuar për shkak të rregullave që lidhen me lojtarët minorenë jashtë Bashkimit Europian. Futbollisti gjeorgjian mund të transferohet zyrtarisht te Bayerni vetëm pasi të mbushë 18 vjeç.
Për këtë arsye, klubi bavarez po shqyrton mundësinë që talenti i ri të huazohet fillimisht te një klub partner brenda rrjetit “Red & Gold”, derisa të krijohen kushtet ligjore për transferimin përfundimtar.
Ndërkohë, Tornike ishte i pranishëm edhe në Allianz Arena për të ndjekur gjysmëfinalen e kthimit të Champions League mes Bayernit dhe PSG-së, ku luan vëllai i tij Khvicha.
Interesant është fakti se edhe vetë Khvicha Kvaratskhelia kishte zhvilluar një provë te Bayerni në moshën 16-vjeçare, por transferimi i tij nuk u realizua për shkak të të njëjtave kufizime që lidhen me lojtarët e mitur jashtë BE-së.
KOHA JONË SONDAZH

