“Djajtë” e Belgjikës në parajsë, çojnë në shtëpi Brazilin dhe Neymarin (VIDEO)

Belgjika shkakton surprizën e madhe në Kupën e Botës, duke eliminuar një nga favoritët e këtij edicioni, Brazili. Në “Kazan Arena” skuadra e Martinez ka fituar 2-1, në një ndeshje me dy “fytyra”. Një pjesë e parë e dominuar nga belgët, ndërkohë që në të dytën “Selecao” reagoi, por nuk mundi që të shmangte eliminimin.

De Bruyne dha sinjalin e parë me një goditje nga distanca në minutën e 2-të, por ishte e lehtë, duke përfunduar jashtë kuadratit. Reagimi i “Selecaos” ishte i menjëhershëm me Thiago Silvën që tronditi shtyllën në minutën e 8-të, me një goditje me kokë brenda zonës. Belgjika kaloi në avantazh ndaj “Selecaos” që në minutën e 13-të, pasi mbrojtësi Fernandinho e ka dërguar topin në rrjetën e tij, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Alisson. Ekipi i Tites shton presionin, duke vendosur në disa raste në provë portierin Courtois, i cili dhuron spektakël me disa grushtime fantastike. Në momentin më të rrezikshëm të “Selecaos”, Belgjika shënoi një tjetër gol, me një kundërsulm vrastar. Në minutën e 31-të, skuadra e Martinez shënoi një super gol me De Bruyne, i cili mori një pasim mjaft të mirë dhe më pas lëshoi një të djathtë të hidhur që përfundoi në cepin e portës së Alisson.

Brazilianët nuk humbin besimin, dhe provojnë me Coutinhon në hyrje të zonës, por sërish është portieri belg që e ndal. Ndërkohë në krahun tjetër De Bruyne vendos në vështirësi Alisson me një tentativë nga një goditje dënimi. Fraksioni i dytë nisi furishëm për Brazilin, që hodhi në fushë edhe Firminon, por sulmuesi i Liverpoolit humbi një mundësi shumë të mirë që në start. Në krahun tjetër në minutën e 61-të, Hazard ju afrua shumë golit me një goditje fantastike nga një pozicion i prirët. Tite hodhi në fushë edhe Douglas Costën, duke u shfaqur disa herë i rrezikshëm me daljet e tij në krahun e djathtë. Brazili rihapi ndeshjen 15 minuta nga fundi i kohës së rregullit. Coutinho dha një pasim shumë të bukur me kokë për Renato Auguston, i cili e devijon topin me një prekje të lehtë duke mposhtur portierin Courtoise. Futbollisti brazilian në minutën e 80-të kishte shansin për të shënuar edhe golin e dytë, por goditja e tij në hyrje të zonjës, përfundoi pak jashtë kuadratit. Courtois në minutën e 4-të shtesë, bën një pritje spektakolare në trekëndëshin e portës, për të kompletuar një ndeshje perfekte. Belgjika do të luajë në gjysmëfinale ndaj Francës më 10 korrik në orën 20:00.

Swiss Digital Desktop Reklama



Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?