“Bomba” e agjentit: Hysaj do të largohet, drejtori i Juves e ka me sy të mirë
Elseid Hysaj është gjithnjë e më larg Napolit. Mbrojtësi i kombëtares sonë sipas mediave italiane është me “valixhe në duar” pas afrimit të Di Lorenzos. Agjenti i shkodranit, Mario Giuffredi ka dhënë një prononcim për “Radio Marte” duke komentuar edhe zërat që e shohin te skuadra e Juventusit në rast të një afrimit te Sarrit te bardhezinjtë.

“Për 3 vite Hysaj ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë, teksa në vitin e fundit të Sarrit, Juventusi e ka kërkuar në merkato. Ka qenë ai që u tha “jo” sepse donte që të fitonte titullin me Napolin. Është e vërtet që këtë sezon, ka pasur një rënie, por nuk ka qenë i vetmi që ka pasur rënie të rendimentit te Napoli. Nuk mund të them që është faji i Ancelotti, por është e natyrshme që me një lojë të ndryshme, mund të ndodhë që Hysaj dhe Mario Rui të sulmohen.
E ardhmja? Qëllimi është që të largohej. Hysaj pas një sezoni i mbaron kontrata dhe mund të largohet me parametra zero, por mendoj se është koha e duhur për të ndryshuar ambient. Atletico ka kërkuar informacione gjithmonë për Hysajn, por nuk është vetëm ky klub pas tij, për shembull Paratici (drejtori i Juves) e ka me sy të mirë dhe e sigurt që do të shkojë në një klub të madh”, ka deklaruar agjenti i lojtarit të kombëtares sonë.
Nëse konfirmohen zërat për afrimin e Sarrit te Juventusit, atëherë me shumë mundësi do ta shohim futbollistin shkodran me fanellën bardhezi, për të luftuar për trofe të rëndësishëm. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

