Cantona: Mourinho të largohet, nuk është… burri i duhur me gruan e duhur!
Eric Cantona këmbëngul se është duke vuajtur nga paraqitja e Manchester United këtë fillimsezoni, ndaj ka bërë thirrje që trajneri Jose Mourinho të zëvendësohet me dikë tjetër. Portugezi e ka parë të ardhmen e tij në “Old Trafford” në pikëpyetje, pas një fillimi të ngadaltë të sezonit, që i sheh “Djajtë e Kuq” në vendin e dhjetë të Premier League, me 14 pikë nga nëntë ndeshje.
Ndërkohë, të besuarit e Mourinhos kanë lënë për të dëshiruar edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, deri më tani, pasi u mundën në shtëpi 1-0, në mesjavë, nga Juventusi, ndërkohë që nuk fituan dot as ndaj Valencias, në ndeshjen e mëparshme europiane.
Për më tepër, kritikët kanë sulmuar stilin e futbollit të Mourinhos për të shkuar kundër ideologjisë së klubit, i cili tradicionalisht ka shijuar një lojë emocionuese dhe sulmuese. “Ky nuk është njeriu i duhur me gruan e duhur, – u tha Cantona fansave gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje.
– Ju keni të drejtë të humbni në futboll, por duke marrë përsipër rreziqe. Kur humbni dhe nuk tregoni asgjë në fushë, atëherë përgjegjësia është e dyfishtë. E patë ndeshjen kundër Juves, me italianët që patën 70 për qind të posedimit të topit brenda në “Old Trafford”? A mund të imagjinohej kjo gjë me Sir Alex Ferguson në stol? Unë vuaj nga ky fakt, por vuaj edhe më shumë kur shoh Manchester City duke luajtur mrekullisht mirë”.
Sa për një pasues të mundshëm të Mourinhos, legjenda e Manchester United, Eric Cantona, argumentoi se duhet të ishte dikush brenda klubit, i cili e vlerëson historinë e tij: “Ne pamë Zinedine Zidane, ish-lojtar i Real Madridit, që nuk kishte trajnuar një skuadër më parë, që të bëhet trajner i të bardhëve.
Drejtuesit e klubit i dhanë atij një shans. Manchester United kurrë nuk i dha mundësinë një lojtari, që e njeh nga brenda klubin, identitetin dhe filozofinë e tij. Nuk dua që njerëzit të mendojnë se po e them këtë, sepse dua të bëhem unë trajner i Manchester United”.
Shënuesi i 64 golave ?në kampionat me skuadrën e “Old Trafford”, Eric Cantona, mbetet një hero kulti për klubin, pasi u vlerësua për stilin që solli në lojë, para se të pensionohej në moshën 30-vjeçare, në vitin 1997.
KOHA JONË SONDAZH

