
Cristian Shpendi po përjeton një sezon fantastik me fanellën e Cesena-s, duke u kthyer në një prej emrave më të kërkuar të futbollit italian. Sulmuesi italo-shqiptar kryeson listën e golashënuesve të Serie B me 12 gola, ndërsa paraqitjet e tij kanë shtuar interesimin e disa klubeve përpara hapjes së merkatos së janarit. Shkëndija e fundit e talentit shqiptar ishte tregolëshi i realizuar të martën në mbrëmje, në fitoren e thellë 5-1 ndaj Ascoli-t.
Shifrat e Shpendit janë edhe më mbresëlënëse: ai ka shënuar në nëntë nga 13 ndeshjet e zhvilluara, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të sezonit të Cesena-s. Paraqitjet e sulmuesit kanë ngritur pikëpyetje të mëdha në klubin italian për të ardhmen e tij. Cesena dëshiron të mbajë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, por interesimi në rritje mund ta vështirësojë këtë objektiv.
Në ditët e fundit të merkatos së verës, Shpendi ishte shumë pranë transferimit te Cremonese, në një marrëveshje që raportohej se kapte vlerën e rreth 4 milionë eurove. Megjithatë, operacioni dështoi pasi nuk u realizua zinxhiri i transferimeve të sulmuesve, nga i cili varej edhe kjo lëvizje.
Sipas mediave italiane, vlera e 23-vjeçarit sot llogaritet në të paktën 6 milionë euro. Shpendi shihet si një futbollist që prej të paktën dy sezonesh meriton mundësinë për të provuar veten në Serie A. Përveç interesimit nga klubet italiane, nuk përjashtohet as mundësia e një transferimi jashtë Italisë, pasi sulmuesi ndiqet prej kohësh edhe nga skuadra të tjera në Europë.
Sipas raportimit të gazetës Tuttosport, në garë për shërbimet e sulmuesit mund të rikthehen Fiorentina dhe Cagliari, dy klube të Serie A që e kanë ndjekur edhe në merkatot e mëparshme. Sulmuesi shqiptar ka një lidhje të veçantë me Cesena-n, klub ku u bashkua në vitin 2019 për të luajtur me ekipin U-17, së bashku me vëllain e tij binjak, Stiven Shpendin, i cili aktualisht aktivizohet te Empoli.
