“Dai Dai”/ Zbulohet himni zyrtar i Botërorit 2026 (VIDEO)
Shakira do të jetë sërish pjesë e Kupës së Botës, këtë herë si autore e këngës zyrtare të turneut me titull “Dai Dai”.
Lajmi është konfirmuar nga vetë artistja, e cila ka publikuar në rrjetet sociale një fragment të këngës, duke rritur pritshmëritë e tifozëve për publikimin e plotë që pritet të dalë më 14 maj.
Kënga “Dai Dai” do të shërbejë si himni zyrtar i FIFA World Cup për këtë edicion, duke vazhduar traditën e Shakirës me turneun më të madh të futbollit në botë.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja kolumbiane lidhet me Botërorin. Në vitin 2010 ajo interpretoi “Waka Waka (This Time for Africa)”, një nga këngët më ikonike të historisë së turneut, gjatë edicionit të zhvilluar në Afrika e Jugut.
Më pas, në Botërorin e vitit 2014 në Brazil, ajo kontribuoi sërish me një kolonë zanore tjetër dhe ishte e pranishme edhe në ceremoninë përmbyllëse të turneut.
Me “Dai Dai”, Shakira rikthehet në skenën e futbollit botëror për të tretën herë, duke forcuar lidhjen e saj tashmë historike me Kupën e Botës.

KOHA JONË SONDAZH

