SKANDAL/ Policia nuk garanton masat e sigurisë, Shqipëri-Angli rrezikon të anulohet
Ndeshja Shqipëri-Angli, e programuar për të dielën në orën 18:00, rrezikon të mos luhet për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër marrjen e masave për organizimin e ndeshjes. FSHF kërkoi lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, por kjo kërkesë është refuzuar deri më tani.
Njoftimi i FSHF
Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.
Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj.
Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.
Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar.
LETRA E PLOTE
Në përgjigje të shkresës Tuaj Nr. 428 Prot, datë 03.03.2021 me anë të së cilës kërkoni marrjen e masave për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Anglisë që do të zhvillohet në datën 28.03.2021, ora 18.00 në stadiumin “Air Albania”, Tiranë në kuadër të kompeticionit të kualifikueseve Evropiane për Kupën e Botës 2022, ju bejmë me dije se:
Nga kontrolli dhe verifikimet e bëra objektit dhe perimetrit të jashtëm të stadiumit “Air Albania”, në kuadër të marrjes së masave për garantimin e sigurisë së këtij aktiviteti, strukturat e Rendit dhe Sigurise pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tirane, kanë konstatuar se: Subjektet dhe bizneset pranë objektit të Stadiumit“Air Albania”, Tiranë, të cilat ushtrojnë aktivitet në fusha të ndryshme, kanë vendosur struktura permanente hekuri, betoni, xhami dhe tenda të fiksuara, dukë zënë pothuajse të gjitha hyrjet kryesore të tribunave, si dhe gjithë perimetrin e jashtëm të stadiumit duke cënuar standardet e sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit.
Gjithashtu mos mbyllja e aktiviteteve të lokaleve dhe bizneseve gjatë zhvillimit të ndeshjes sjell problematika të ndryshme duke cënuar sigurimin e rendit si para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit.
Sa më sipër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri- Angli, në datë 28.03.2021 ora 18.00.

KOHA JONË SONDAZH

