E sulmuan për 90 minuta, Neymar: Në Marsejë s’luhej futboll, më goditën me lëng portokalli, shkopinj, Coca-Cola
Neymar vuajti shumë të dielën përballë Marseille-s jo vetëm për faktin se Paris SG luante një klasike, por edhe për mënyrën sesi tifozët vendas u sollën me brazilianin. Përgjatë gjithë minutave 25-vjeçari ishte nga do i sulmuar. Në fushë lojtarët kundërshtarë nuk ia kursyen ndërhyrjet e ashpra ndërsa tifozët nga tribuna e godisnin me gjithçka kishin në duar.
Pak para fundit Neymar u ndëshkua me karton e dytë të verdhë dhe për pasojë të kuqin pasi goditi me kokë një nga kundërshtarët. I intervistuar në përfundim të takimit ish-futbollisti i Barcelonës u shpreh i rebeluar për sjelljen e pahijshme të tifozëve kundërshtarë.
“Ishte e ekzagjeruar. Më kanë goditur me gjithçka. Hodhën në fushë lëng portokalli, shkopinj, Coca-Cola. Gjithçka. Ky nuk është futboll”, tha fillimisht Neymar, i cili u mor në mbrojtje nga forcat e sigurisë së stadiumit që të godiste i qetë kornet.
Gjatë fjalës së tij, sulmuesi brazilian pranoi edhe gabimet që bëri në fushën e lojës. “Unë nuk jam i ftohtë. Kam gjak dhe bëj gabime në fushë dhe nuk më pëlqeu ndërhyrja që bënë ndaj meje. Ndeshja? Marseja luajti shumë mirë, por ne nuk ishim në nivelin tonë. Mund të kishim luajtur shumë herë më mirë. Bari ishte shumë i gjatë dhe i thatë. Nuk ishim mësuar të luanim në këto kushte të vështira. Rivalët bënë gjithçka kundër nesh dhe ia dolën të na merrnin një barazim”, përfundoi Neymar.
Në fakt, ishte PSG-ja që mori barazimin në minutat e fundit falë golit të Cavani-t. Edhe trajneri Emery mori në mbrojtje lojtarin e tij. “Duhet të mësojmë t’i mbrojmë lojtarët e rëndësishëm në terrenin e lojës. Neymar u godit disa herë qëllimisht nga kundërshtarët. Ishte e rëndësishme që nuk e humbëm këtë ndeshje, por luajtëm në kushte jo të mira”, tha Emery.
KOHA JONË SONDAZH

