Ecuria e dobët e Vllaznisë, presidentja Ademi gjobit Thomas Brdaric
Vllaznia fitoi 1-0 përballë Korabit ditën e djeshme dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Suksesi në “Loro Boriçi” ka rikthyer qetësinë tek ekipi shkodran, që nuk ka bërë mirë kohët e fundit.
Në Superiore ndërkohë kuqeblutë kanë vetëm 7 pikë në 9 javët e fundit, duke i dorëzuar kreun e renditjes bardhezinjve të Laçit. Një ecuri e tillë ka sjellë gjobitjen e trajnerit Thomas Brdaric. Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka gjobitur me 1.5 milion lekë të vjetra trajnerin gjermano-kroat.
“Rezultatet e dobëta të ndeshjeve të fundit si trajner dhe mungesa e disiplinës të ngarkojnë me përgjegjësinë e rrezikimit të objektivave të klubit. Të kërkohet të rrisësh nivelin e vendimmarrjeve gjatë seancave stërvitore dhe ndeshjeve, teksa kërkohet edhe motivimi i lojtarëve drejt rezultateve pozitive. Të informojmë që klubi ka vendosur të aplikojë një masë disiplinore me një sanksion financiar prej 1.5 milion lekësh.
Nëse trajneri kontribuon në arritjen e rezultateve pozitive në tre ndeshjet e fundit të fazës së tretë, atëherë klubi do të anulojë gjobën ndaj tij“, lexohet në letrën e presidentes së klubit shkodran.
KOHA JONË SONDAZH

