Federata e volejbollit takim në Korçë për promovimin e këtij sporti në Shqipëri dhe rikthimin e traditës
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit, presidenti Erlind Pëllumbi, zv.presidenti Dashamir Brari dhe anëtari i kryesisë Ilia Vasili, kanë qenë sot në qytetin e Korçës, ku kanë zhvilluar një takim me drejtoreshën e klubit shumësportësh “Skënderbeu”, Tatjana Marashi. Qëllimi i kësaj vizite dhe takimi ka qenë zhvillimi e promovimi i volejbollit shqiptar në qytetin jug-lindor, që është edhe një qytet me traditë në këtë sport, qytet që ka nxjerrë me dhjetëra kampionë në sportin e volejbollit. Në takimet që FSHV zhvilloi në Korçë ishte edhe sekretari i KOKSH-it, Stavri Bello.
Presidenti i FSHV-së, u shpreh: “Ne duam që volejbolli në Korçë të rikthehet në nivelet e dikurshme, të rikthejmë traditën e këtij sporti, pasi ekipet e Skënderbeut kanë qenë gjithnjë në elitën e volejbollit shqiptar. Për këtë arsye, FSHV do të bëjë maksimumin e saj në promovimin e këtij sporti në Korçë, duke zhvilluar disa seanca stërvitore edhe me ekipet kombëtare të volejbollit dh eta promovojë atë në shkolla. Korça është një qytet që i ka dhënë tempin sportit të volejbollit dhe meriton mbështetje nga ne, e cila jam i sigurtë që do të na jepet si nga klubi Skënderbeu ashtu dhe Bashkia e këtij qyteti”.
Më tej, drejtuesit e FSHV-së, të shoqëruar nga përfaqësuesit e KOKSH-it dhe klubit Skënderbeu, kanë bërë një vizitë në kompleksin e ri sportiv që po ndërtohet në qytetin e Korçës, ku natyrisht që do të ketë edhe një sallë moderne volejbolli. Ky kompleks do të jetë së shpejti në dispozicion të sportit korçar e jo vetëm, ndaj volejbolli i këtij qyteti dhe i gjithë Shqipërisë do të ketë së shpejti një shtëpi të re dhe më të mirë për t’u zhvilluar më tej. /FSHV/



KOHA JONË SONDAZH

