Gara për mbijetesë, ‘frika’ ndahet mes Vllaznisë dhe Tiranës
“Lufta” për mbijetesë është më e zjarrta në javën e fundit të kampionatit. Matematikisht janë katër skuadra që rrezikojnë ta mbyllin renditjen në vendin e parafundit, që do të nënkuptonte edhe rënien nga kategoria.
Aktualisht, në vendin e nëntë është Laçi, i cili në sfidën e fundit do presë në shtëpi Teutën, që tashmë e ka siguruar mbijetesën, shkruan Panorama Sport. Në rast se arrijnë të marrin tri pikë, kurbinasit gjithashtu konfirmojnë pjesëmarrjen në Superiore edicionin e ardhshëm, duke përfituar nga fakti që Vllaznia dhe Tirana kanë një duel direkt.
Sa i përket Flamurtarit, gjithashtu u duhet një fitore, por kanë një duel të lehtë në letër, pasi ndeshen kundër Korabit të vendit të fundit.
Janë pikërisht dy gjigantët e futbollit shqiptar, Vllaznia e Tirana që rrezikojnë të luajnë një “finale” me njeri tjetrin. Në rast se Laçi dhe Flamurtari arrijnë të fitojnë, atëherë bardhebluve u duhet të fitojnë në Shkodër për të evituar vendin e parafundit, ndërkohë që Vllaznisë i mjafton edhe një pikë.
KOHA JONË SONDAZH

