Gati shkarkimi i Comollit, javën e ardhshme do të jetë mbledhja vendimtare
E ardhmja e Juventus pritet të vendoset në javët e ardhshme, me kualifikimin në Champions League që konsiderohet elementi kyç mbi të cilin do të ndërtohen vendimet për drejtimin sportiv dhe administrativ të klubit bardhezi.
Në prag të javës së fundit të kampionatit, Juventusi ndodhet në një situatë delikate dhe nuk varet vetëm nga rezultatet e veta për të siguruar një vend në elitën europiane. Skuadra torineze do të përballet në derbin ndaj Torino, ndërsa paralelisht do të presë edhe rezultate të favorshme nga rivalët në garën për një vend në Champions.
Sipas raportimeve të Tuttosport, java e ardhshme pritet të jetë vendimtare edhe për fatin e administratorit të deleguar të klubit, Damien Comolli. Një takim i rëndësishëm me presidentin e Exor, John Elkann, mund të përcaktojë të ardhmen e drejtuesit francez, pozita e të cilit është vënë në diskutim pas kritikave të shumta nga tifozët dhe rezultateve të paqëndrueshme të klubit.
Raportohet se mungesa e kualifikimit në Champions League mund të çojë drejt një ndarjeje me Comolli, pavarësisht se ai ishte një zgjedhje e mbështetur fort nga Elkann. Mediat italiane sugjerojnë se data 26 maj mund të jetë kyçe për zhvillimet në klubin torinez.
Një largim i mundshëm i Comolli-t mund të sjellë ndryshime të thella edhe në strukturën drejtuese të Juventusit. Në mesin e emrave që përmenden si pjesë e ekipit të tij janë drejtori teknik François Modesto, drejtuesi i performancës Darren Burgess dhe drejtuesi i sektorit të biznesit Peter Silverstone.
Në raportimet mediatike përmendet gjithashtu edhe emri i Selinay Gurgenç, bashkëshortes së Comolli-t, e cila, edhe pse nuk ka një rol zyrtar në strukturat e klubit, thuhet se ka pasur ndikim në sektorin e komunikimit.
KOHA JONË SONDAZH

