Hasi, Agolli dhe Salihi, rekordmenët kuqezi në Europë sipas të dhënave të UEFA-s
Besnik Hasi është tashmë një nga trajnerët më të suksesshëm shqiptarë, mirëpo ai ruan rekorde edhe për periudhën në futbollin e luajtur. Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare është shqiptari me numrin më të madh të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve. I ndjekur nga Xhaka, Haxhi, Cana dhe Sina.

GOLEADORI
Hamdi Salihi ka qenë mjeshtri i roveshatave, mirëpo jo vetëm kaq. Falë asaj që ka bërë në karrierën e tij, ai renditet si bomberi më i mirë shqiptar me golat e shënuar në Ligën e Kampionëve apo edhe në kompeticionet europiane.

Gjashtë të tillë në Champions me Tiranën dhe Skënderbeun. Në këtë listë gjenden edhe Devi Muka, Bushi, Duro, Fortuzi, Kola e Shkëmbi. Në total në Kupat e Europës, Salihi numëron 14 gola të realizuar, më shumë sesa çdo shqiptar tjetër.
“I PALODHURI”
Kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, është shqiptari me numrin më të madh të ndeshjeve të zhvilluara në Kupat e Europës. Tirana, Nojshatel Ksamaks, Karabak i kanë dhënë mundësinë mbrojtësit kuqezi që të numërojë aktualisht 57 paraqitje në Europë, si asnjë shqiptar tjetër deri më tani. As Lorik Cana, që numëron 56 të tilla dhe e ka mbyllur karrierën si futbollist profesionist.

“TË VEÇANTIT”
Igli Tare është sot një nga drejtuesit shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, mirëpo ish-bomberi shtatlartë i Kombëtares gjendet pjesë e tabelës së statistikave “të veçanta” për shqiptarët.

Ai është i vetmi që ka luajtur në një finale kompeticioni klubesh të UEFA-s. Bledar Kola është shqiptari i parë që luajti në grupet e Champions-it, Hasi i pari që drejtoi një ekip në grupet e këtij kompeticioni, ndërkohë që Besart Berisha është i pari shqiptar që realizoi gol./panoramasport/

KOHA JONË SONDAZH

