Idrizi i vendosur: Nuk ma ndien kush del kampion, superpremio nëse i fitojmë tre ndeshjet e mbetura
Flamurtari, “ultimatum” për tri fitore. E ndërsa mban ende shpresa për vendin e katërt, Sinan Idrizi ka takuar lojtarët për t’u vendosur edhe kushtin për 270 minutat e fundit të këtij sezoni. Administratori ka kërkuar nga lojtarët 9 pikë në javët e fundit.
“Panorama Sport” zbulon se Idrizi u ka thënë lojtarëve që të fitojnë duke nisur nga ndeshja e radhës me Partizanin, për të kaluar te të tjerat. Ai u ka thënë të tijve se do të përfitojnë një superpremio nëse realizojnë këtë “mision”.
“Duhet të fitoni tri ndeshjet e mbetura. Nuk ka rrugë tjetër, duhet ta mbyllim denjësisht kampionatin. Unë kam besim se do të vazhdoni të fitoni, por edhe të na kënaqni me lojë. Nëse fitoni 9 pikë, në fund do të merrni superpremion që do ta merrnit nëse fitonit me Kukësin”, mësohet t’u ketë thënë numri një i klubit vlonjatëve.
PRITSHMËRIA
Administratori Sinan Idrizi, i kontaktuar dje nga gazeta, ka konfirmuar kërkesën e bërë, por edhe shpërblimin që ka në plan të vendosë. Ai pret fitoren kundër të kuqve, ndeshja që do të luhet sot në orën 19:00 në stadiumin “Flamurtari”. Sakaq, ai saktësoi se trepikëshi ndaj kryeqytetasve do të përkthehet me 10 milionë lekë të vjetër premio.
“Unë pres fitoren në ndeshjen me Partizanin dhe asnjë rezultat tjetër. Këtë e kam bërë të qartë edhe për lojtarët. Nëse fitojnë do të kenë premio, por nëse do të marrin 9 pikë të plota në këto javë të fundit, atëherë do të marrin superpremio. Jam i kënaqur deri tani, por na duhet akoma”, u shpreh Idrizi.
TITULLI
Administratori u shpreh se nuk i intereson kush do ta marrë titullin kampion. E ndërsa dihet miqësia e Idrizit me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi, ai sqaroi:
“Nuk ma ndien fare se kush e fiton titullin kampion. Unë doja të ishte Flamurtari, por duhet të presin sezonin e ardhshëm për këtë. Le ta fitojë kush të dojë. Sa për miqësitë, unë i kam miq të gjithë presidentët, që nga Gjici, Demi, Halili etj. Dua të sqaroj se, para ndeshjes me Kukësin në portale, u tha se unë vija 100 milionë lekë premio për të mundur Kukësin dhe për të favorizuar Partizanin. Kjo është poshtërsi. Ne nuk tolerojmë për askënd”, përfundoi Idrizi.
KOHA JONË SONDAZH

