Ilir Daja me “dhimbje koke”. Shehi përfundon në spital, tetë mungesa në stërvitje
Vetëm tri ditë përpara ndeshjes së të hënës, atë ndaj Tiranës, Daja me të drejtë është parë më shumë se i shqetësuar, kur ka parë me sytë e tij përpara seancës së djeshme stërvitore se plot 8 futbollistë nuk i ka pasur në dispozicion. Të gjithë me probleme dëmtimi, me përjashtim të kapitenit Orges Shehi që dje e ka gdhirë në spitalin e qytetit për probleme shëndetësore.
Kjo ka bërë që në stërvitjen e dytë për ndeshjen ndaj Tiranës në qytetin e Korçës, Daja të vendosë të stërvitet me të tijtë në ambientet e stadiumit juglindor, për shkak se grupi ka qenë më shumë se i cunguar.
Mungesat
Për ta nisur së pari me Tefik Osmanin. Mbrojtësi ka ndier dhimbje në të njëjtin vend ku u rikuperua edhe pak ditë më parë në Serbi dhe kjo ka bërë që të ndalet, ndërkohë që vetë lojtari e stafi teknik po bëjnë të pamundurën që deri të hënën të jetë gati për të qenë në fushë, paçka se është më shumë se e vështirë. Gjithsesi, përgjigjja do të jepet të diel, një ditë para Tiranës.
Për të kaluar te kapiteni Orges Shehi. “Gardiani” e ka gdhirë ditën e djeshme në spitalin e qytetit për shkak të një viroze që e ka detyruar të qëndrojë për disa orë në spital. Mësohet se Shehi, me shumë gjasa, deri nesër do të jetë 100% gati nën urdhrat e Dajës.
Kristi Vangjeli dhe Hamdi Salihi, dje kanë kryer vrapime dhe stafi mjekësor bën të ditur që kanë dëmtime muskulore, por që gjithsesi e kanë disi më të lehtë rikthimin në fushë ndaj Tiranës. Një dëmtim ka pësuar edhe portieri rezervë Erjon Llapanji, që mësohet se ka pasur lëndim në gju dhe dje ka qenë i veshur civil në seancë duke mos u stërvitur asnjë minutë.
Rumuni Kornel Predesku është gjithashtu mungesë e sigurt bashkë me Lilajn, Malajn dhe Abazin. Me pak fjalë, 8 lojtarë me probleme për Skënderbeun pak ditë para Tiranës janë pa dyshim ato që shqetësojnë më shumë Dajën dhe ekipin e tij dhe jo më kot ai dje ishte me “dhimbje koke”./panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

