Interesim i jashtëzakonshëm, avullojnë biletat për derbin Partizani-Tirana
Superliga këtë fundjavë premton spektakël me derbin Partizani-Tirana. Dueli është i veçantë, pasi Të Kuqtë mund të sigurojnë zyrtarisht titullin kampion pas 26 vitesh, ndërkohë që bardheblutë mund të hedhin hap galopant për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Klubi i kuq në faqen zyrtare ka njoftuar se biletat kanë “avulluar” menjëherë ndërkohë shitja e tyre po vijon me ritme të shpejta. E sigurt është që të dielën në orën 16:30 në “Selman Stërmasi” pritet të krijohet një atmosferë elektrizuese në një stadium të tejmbushur.
NJOFTIM PËR BILETAT
Klubi njofton se vijon të ketë një interesim mjaft të madh për takimin Partizani-Tirana në program ditën e diel ora 16:30, i vlefshëm për javën e 33 të Kategorisë Superiore. Në sektorët e Tribunave B1, B2 dhe E biletat kanë mbaruar, ndërkohë që drejt fundit janë edhe sektorët D1 dhe F. Shitja e biletave po vijon me ritme jashtë parashikimeve duke treguar interesimin e madh nga tifozeria e kuqe për këtë përballje.
Kujtojmë se biletat mund ti siguroni në pikën e shitjes pranë stadiumit “Selman Stërmasi” çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 19:00.
KOHA JONË SONDAZH

