Interi e ka seriozisht për Hysajn, Spalletti thotë “po” për shkodranin
Një nga prioritet e Interit për sezonin e ardhshëm është transferimi i një mbrojtësi krahu. Shumë emra qarkullojnë, nga Danilo te Damian, por sipas “fcinternews”, zikaltërit janë duke menduar për Elseid Hysaj. Ausilio prej kohësh është në kërkim të një mbrojtësi krahu, teksa emri i parë në listë ishte Danilo, por duket se do të jetë e vështirë arritja e një marrëveshje. Më e thjeshtë duket rruga që të çon te mbrojtësi i kombëtares sonë. Sipas mediave italiane futbollisti shkodran pëlqehet shumë nga Luciano Spalletti dhe nga ndihmësi i tij Giovanni Martusciello, i cili ka pasur mundësinë për ta njohur mirë në kohën që ka qenë pjesë e skuadrës së Empolit.
Kontaktet e para mes klubit zikaltër dhe agjentit të mbrojtësit shqiptar kanë nisur, duke përfituar edhe nga fakti se ai nuk po rinovon kontratën e Napoli. Agjenti Giuffredi dhe De Laurentis në takimin e fundit, një muaj më parë, nuk arritën një marrëveshje, pasi kërkesat e Hysajt ishin shumë më të mëdha se oferta e bërë. Hysaj kërkon 3.5 milionë euro në sezon, ndërkohë që Napoli shkon deri në 2.5 milionë euro.
Transferimi në Milano mund të jetë lëvizja e duhur për futbollistin shkodran që ka kaluar një sezon me shumë ulje-ngritje, duke qenë shpesh herë një zgjedhje e dytë për Ancelottin. “FcInternews.it” shkruan se kontaktet mes Interit dhe Hysajt po vijojnë prej kohësh. Në ditët në vijim pritet një tjetër takim për të gjetur një marrëveshje. Zikaltrit janë të gatshëm për të përfituar nga fakti se shkodrani nuk është më i pazëvendësueshëm në Napoli. Interi është skuadra që shkodrani bën tifo që kur ka qenë fëmijë, dhe ky mund të jetë edhe një tjetër faktor që mund ta përshpejtojë këtë lëvizje. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

