Interi mund me vuajtje Torinon dhe blindon kreun, Parma befason Romën (VIDEO)
Interi vazhdon të vuajë, por dhe të fitojë në Seria A, duke hedhur një tjetër hap drejt titullit. Skuadra e Antonio Contes mori një fitore shumë të rëndësishme 2-1 ndaj Torinos në transfertë.
Në 45 minutat e para loja është e barabartë, me të dyja skuadrat që kujdesen më shumë për të studiuar kundërshtarin. Zikaltrit janë më këmbëngulës, por gjejnë pak hapësira në zonën e kundërshtarëve. Rastin më të pastër për shënim në fakt do ta kishte Torino, teksa Lyanco ishte i vetëm me portën e boshatisur, por goditja e tij me kokë u stampua në shtyllën e Handanovic dhe më pas u largua nga Lukaku. Sulmuesi belg ishte në hije në fraksionin e parë, duke kombinuar në shumë pak raste me Lautaron apo Hakimin.
Fillimi i fraksionit të dytë nis me diktatin e Interit. Në minutën e 62-të, Lautaro Martinez pengohet brenda zonë nga Izzo, teksa për arbitrin s’ka dyshime që është 11-metërsh. Nga pika e bardhë do të shkonte Lukaku, duke arritur që ta konkretizojë në mënyrën më të mirë. Torino u kundërpërgjigj shumë shpejt duke hedhur në fushë Ansaldin dhe Zaza-n. Interi pati shansin për të dyfishuar shifrat, por do të ndalej me këmbë nga portieri Sirigu. Në minutën e 70-të, pas një aksioni të gjatë, Sanabria është në kohën dhe në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë.
Kur u duk se gjithçka do të shkonte drejt barazimit, 5 minuta nga fundi i ndeshjes, Alexis Sanchez shërben një asist për Lautaron, që shënon një super gol me kokë. Me këtë fitore Inter mbetet në vendin e parë me 65 pikë, 9 më shumë se Milani.
Parma ndërkohë befasoi Romën, duke marrë një fitore të pastër 2-0 në shtëpi. Mihaila zhbllokoi sfidën në minutën e 9-të, ndërkohë që në fillimin e fraksionit të dytë Hernani vulosi fitoren e ekipit nga Tardini. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

