Italianët me “dorë të hekurt” ndaj shqiptarëve, asnjë s’është më i paprekshëm
Christian Panuccit ka arsye për t’u shqetësuar në këtë moment për futbollistët shqiptarë në Seria A. Asnjëri prej tyre nuk po kalon një moment të mirë, madje janë të gjithë në periudhën më delikate. Po e nisim nga Elasid Hysaj. Nga një titullari padiskutueshëm me trajnerin Maurizio Sarri, tashmë me Ancelottin nuk ndodh e njëjta gjë. Dalja në fushë në minutën e 70-të në ndeshjen e fundit ndaj Romës në kampionët është si për të konfirmuar momentin aspak të mirë që po kalon. Në drejtim të tij ka pasur kritika të shumta se ka humbur freskinë në krahun e djathtë dhe sigurinë në repartin e prapavijës. Driblimi i lehtë nga Cristiano Ronaldo në duelin ndaj Juventusi ishte vetëm fillimi i këtij momenti shumë të vështirë për të.

Në Champions League nuk është më titullar në duelet ndaj ekipeve të mëdha, teksa Ancelotti e la në stol në ndeshjen ndaj Liverpooli në “San Paolo” dhe në duelin ndaj PSG në “Parc de Princes”. Edhe pse Maksimovic nuk është një mbrojtës në krahun e djathtë, strategu italian ka më shumë besim te ai se te Hysaj apo Malcult. Mbrojtësi i kombëtares sonë në kampionat ka humbur 1 ndeshje dhe 20 minutat e duelit të fundit, ndërkohë që sezonin e kaluar ishte titullar në të gjitha. Shkodrani nuk është më i lumtur te Napoli dhe këtë gjë e tregoi edhe në momentin e zëvendësimit. Agjenti i tij ka kërkuar që të rinovojë kontratën me 3 milionë euro në sezon si dhe të hiqet klauzola në mënyrë që të bëhet më i lehtë transferimi tek Chelsea, atje ku Sarri e pret krahëhapur.

Thomas Strakosha ndërkohë po kalon momentin e parë më delikat që nga periudha që ka fituar besimin e trajnerit Inzaghi. “Në këto ndeshje nuk mund t’i lejojmë vetes që të pësojmë gola si ai i pari që shënoi Interi. Nuk kujtoj dot asnjë pritje të Strakoshës në këtë ndeshje, por kujtoj shumë nga Handanovic. Interi gjithsesi e meritoi fitoren dhe nuk duhet të kërkojmë justifikime”, deklaroi Inzaghi pas humbjes ndaj Interit. Një deklaratë që tregon se ai është aspak i kënaqur nga rendimenti i portierit shqiptar, i cili ka humbur shumë siguri, ndoshta dhe nga dobësimi i repartit të prapavijës, teksa Inzaghi ka zëvendësuar De Vrij me Acerbin. 12 gol të pësuar në 10 ndeshjet e para, nuk janë aspak një statistikë për t’u vlerësuar për portierin kuqezi, i cili duhet të rifitojë besimin e trajnerit, pasi vlerat e tij janë të padiskutueshme.
Një situatë më të vështirë ndërkohë po kalon Etrit Berisha. Nga një titullar i padiskutueshëm te Atalanta, tashmë trajneri Gasperini ka ndryshuar mendimi duke i dhënë më shumë besim Gollinit. Statistikat në fakt nuk i kanë dhënë të drejtë trajnerit italian, por ai këmbëngul se Berisha nuk është më një zgjedhje e parë në Bergamo. Portieri i kombëtares sonë është aktivizuar në 3 ndeshje në Seria A, nga 10 javë në total, duke pësuar vetëm 1 gola, dy ndeshje të tjera të mbyllura me “clean sheets”. Gollini ndërkohë është katastrofë nëse shohim numrat, pasi në 7 ndeshje, ka pësuar 11 gola, duke mbyllur vetëm një ndeshje me rrjetën e paprekur.

Berat Xhimshiti ndërkohë e nisi mjaft mirë sezonin me Atalantën, duke luajtur në tre ndeshjet e para nga minuta e parë, por më pas u ul në stol për të mos prekur më fushën e lojës. Trajneri Gasperini nuk ka më besim në aftësitë e tij, teksa zgjidhja e vetme duket se do të jetë largimi në merkaton e janarit në një skuadër tjetër. Mbrojtësi shqiptar mbetet një emër i lakmuar në Itali, prandaj dhe Frosinone kërkon që ta rrëmbejë. Vendi i parafundit në Seria A është i interesuar për shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Ai shihet si një alternativë mjaft e mirë në qendrën e mbrojtjes, pasi skuadra në fjalë ka mbrojtjen e dytë më të keqe deri tani në elitën e futbollit italian me 24 gola të pësuar. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

