Iuliano: Nuk kam premtuar asgjë, por tashmë jemi në rrugën e duhur drejt titullit
Në intervistën pas ndeshjes, trajneri Juliano i Partizanit u shpreh i kënaqur me futbollistët e tij, dhe tha se tashmë ata po rriten dhe po fitojnë vetëbesim. Për të, pas këtyre ndeshjeve, Partizani tashmë është në rrugën e duhur drejt objektivave.
Jeni me fat që keni fituar një ndeshje me të vetmin rast që patët.
“Dua të komplimentoj lojtarët e mi sepse vuajtën dhe sakrifikuan për të fituar një ndeshje të vështirë. Në fund ia dolëm të merrnim maksimumin.”
Fitorja e tretë radhazi, vendi i tretë në renditje. Rruga e duhur për skuadrën?
“Po rritemi. Jemi në gjendje të mirë tani. Lojtarët po fitojnë vetëbesim nga dita në ditë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për objektivat e Partizanit.”
Adorjan u prezantua si regjisori i skuadrës, a jeni të kënaqur me paraqitjen e tij?
“Kam komplimenta për të. Ai ka marrë një goditje në stërvitje dhe nuk ka dhënë maksimumin këtë ndeshje. Vinte nga dy ndeshje të mira ndaj Teutës dhe Luftëtarit. Sot sakrifikoi shumë për skuadrën, pasi edhe Vllaznia i vuri lojtarët tanë në vështirësi pas golit.”
Ky është Partizani që keni premtuar, apo pretendoni akoma më shumë nga Partizani?
“Jam i kënaqur me atë që kam parë, por nuk është se kam premtuar diçka. Dua të luajmë mirë dhe të marrim rezultate. Sot administruam gjithçka dhe morëm fitoren.”
Pasi shënuat golin, mbrojtët vetëm rezultatin. Mund të bëni më shumë?
“Patizani duhet të bënte më shumë këtë ndeshje, mund të shënonim të dytin dhe ta mbyllnim ndeshjen. Këto javë më është dashur ta ndryshoj shpesh formacionin.
Basrak një alternativë më shumë për trajnerin në sulm?
“Sigurisht është një alternativë, dhe për mua është akoma më mirë. E kam gjetur Basrakun këtu, por edhe më parë e njihja. Është ambientuar mirë me skuadrën dhe me vendin. Si lojtar ka mundësi të bëjë edhe më tepër.”
KOHA JONË SONDAZH

