Juventus prezanton fanellën e re për sezonin e ardhshëm, rikthehet eleganca klasike bardhezi
Juventus dhe Adidas kanë zbuluar zyrtarisht fanellën e re të shtëpisë për sezonin 2026/27, një uniformë që kombinon traditën historike të klubit me një stil modern dhe elegant.
Në qendër të dizajnit të ri qëndrojnë vijat ikonike bardhezi, të cilat këtë herë janë ridizenjuar në një version më bashkëkohor. Fanella karakterizohet nga linja të pastra gjeometrike dhe hapësira më të strukturuara, duke krijuar një pamje të guximshme dhe moderne, pa humbur identitetin klasik të klubit torinez.
Një nga elementët më të spikatur është rikthimi i jakës klasike polo, frymëzuar nga uniformat historike të veshura nga legjendat e Juventusit ndër vite. Ky detaj sjell një prekje elegance dhe nostalgjie, duke rikujtuar periudhat më të lavdishme të klubit.
Fanella kompletohet me detaje të holla në ngjyrë ari, të cilat zbukurojnë stemën e klubit, logon e Adidas dhe numrat e lojtarëve. Ndërkohë, uniforma shoqërohet me pantallona të bardha me elementë të artë dhe motive me vija të zeza, si dhe me çorape të bardha, duke ruajtur stilin karakteristik bardhezi të “Zonjës së Vjetër”.
Me këtë prezantim, Juventusi synon të ndërthurë trashëgiminë historike me identitetin modern të klubit, në prag të një sezoni të ri plot ambicie.
KOHA JONË SONDAZH

