Juventus ka arritur që të shmangë humbjen ndaj Salernitanës, por sfida është mbyllur me shumë polemika, pasi ekipi torinez do të shënonte dhe golin e tretë. Ndeshja u mbyll në shifrat 2-2.
Antonio Candreva zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 18-të, pas një kundërsulmi të shpejt. Salernitana nuk u ndal këtu, pasi në minutën e pestë të shtesës, miqtë do të fitonin një penallti që do të kthehej në gol nga Piatek.
Në pjesën e dytë Juventus do të reagonte menjëherë duke gjetur golin e parë me Bremer që do të shënonte një super gol me kokë. Në fundin e ndeshjes do të kishte emocione të tjera me Juventus që gjeti barazimin me Bonuccin, i cili gaboi fillimisht me penallti, por shënoi pas pritjes së portierit.
Në fundin e shtesës, Milik shënoi me kokë, por më pas u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Arbitri ndërhyn duke parë aksionin e golit me VAR dhe më pas e anuloi për shkak të një pozicioni jashtë loje të Bonuccit, i cili në fakt nuk e preku topin. /R.Lika-Koha Jonë/
