
Juventus ka vendosur në krye të listës së merkatos Bernardo Silva, me mesfushorin portugez që mund të transferohet në Torino si lojtar i lirë në sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, një rol të rëndësishëm në këtë operacion mund të luajë trajneri Luciano Spalletti, i cili e ka kontaktuar tashmë lojtarin dhe i ka shprehur dëshirën për ta pasur nën drejtimin e tij.
Bernardo Silva konsiderohet një nga mesfushorët më cilësorë në Europë, me plot 19 trofe në karrierë, shumica e tyre të fituara me Manchester City nën drejtimin e Pep Guardiola. Megjithatë, 31-vjeçari dëshiron një sfidë të re, për të dëshmuar vlerat e tij edhe larg Anglisë.
Për të finalizuar marrëveshjen, kusht kyç mbetet kualifikimi i Juventusit në UEFA Champions League. Klubi bardhezi është i gatshëm t’i ofrojë një pagë deri në 7 milionë euro në sezon, plus bonuse.
Gjatë këtij sezoni, Silva ka zhvilluar 33 ndeshje në Premier League, si dhe paraqitje në FA Cup, EFL Cup dhe Champions League, duke realizuar 3 gola në total.
