Katastrofë për Partizanin, dëmtohet sulmuesi kryesor
Partizani i trajnerit Mark Iuliano ka nisur të funksionojë më në fund, pasi në 32 ditët e para mori 2 pikë në kampionat, ndërsa në 4 ditë mori 6 pikë, pas fitores 2-1 në Durrës ndaj Teutës dhe triumfit 2-0 në ndeshjen e 16 tetorit me Luftëtarin në “Selman Stërmasi”.
Por në momentin më të mirë Partizani merr një goditje në fazën sulmuese. Edgar Çani ka ardhur me probleme dhe nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për stafin teknik. Ndaj Luftëtarit u dëmtua Xhevahir Sukaj, i cili, me dy golat e shënuar në dy takimet e fundit, ishte një nga promotorët e “ringjalljes” së kryeqytetasve.
Në minutën e 58-të të ndeshjes me Luftëtarin shkodrani doli nga fusha i dëmtuar. Si fillim stafi i vuri akull lojtarit në gjurin e majtë dhe nga stadiumi doli duke çaluar. Burime pranë lojtarit treguan për “Panorama Sport” se pas kryerjes së rezonancës, u konfirmua që Sukaj ka një dëmtim në muskulin e kofshës dhe do të mungojë për të paktën 3 javë. Kjo do të thotë se trajneri Iuliano nuk do mund të mbështetet tek ai për ndeshjet ndaj Vllaznisë, Flamurtarit dhe Kamzës.
Formacioni i Partizanit nuk ka qenë stabël në asnjë nga 6 ndeshjet e luajtura deri tani në kampionat, kështu që ndryshimet pritet të jenë të dukshme edhe në transfertën e Shkodrës. Xhovani La Kamera mungoi ndaj Teutës se ishte i pezulluar nga kartonët, por do të jetë në dispozicion të trajnerit për Vllazninë.
KOHA JONË SONDAZH

