Katundi i Ri me mini-stadium të ri/ Nisin punimet për projektin e përbashkët mes FSHF-së dhe Bashkisë Durrës
Pas miratimit të projektit për ndërtimin e një fushe të re futbolli në Katundin e Ri, kanë nisur punimet për realizimin e këtij investimi, që vjen si një bashkëfinancim mes FSHF-së dhe Bashkisë Durrës.
Bashkia e Durrësit ka marrë përsipër realizimin e punimeve infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e bazamentit, dhomave të zhveshjes dhe tribunës së mini-stadiumit, që do të ketë një kapacitet prej 735 ulësesh. Ky investim do të krijojë kushte moderne dhe bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive në zonë.
Ndërkohë, në kuadër të këtij bashkëpunimi, Federata e Futbollit do të realizojë rrethimin e fushës, mbjelljen e barit natyral, instalimin e sistemit të vaditjes, furnizimin me makineri për mirëmbajtjen e terrenit, si edhe vendosjen e portave.
Fusha e re do të funksionojë praktikisht si një mini-stadium, duke ofruar të gjitha kushtet dhe facilitetet e nevojshme për zhvillimin e seancave stërvitore, por edhe për aktivitete sportive të skuadrave profesioniste.
Ky investim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, në bashkëpunim me pushtetin vendor, me synim krijimin e kushteve sa më cilësore për klubet, akademitë dhe komunitetin sportiv, si edhe nxitjen e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në futboll.
KOHA JONË SONDAZH

