Kroacia fiton sërish ruletin e penalltive, eliminon Rusinë vendase (VIDEO)
Kroacia ka siguruar mes vuajtjeve një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, teksa Anglinë më 11 korrik. Skuadra e Dalic fitoi vetëm falë ruletës së penalltive, pasi ndeshja pas 120 minutash u mbyll në shifrat 2-2, ndërkohë që koha e rregullt përfundoi 1-1. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar 240 minuta, ose e thënë ndryshe 4 orë lojë brenda 6 ditësh.
Sfida në “Olimpik Fisht” nisi me një ritëm të frikshëm, teksa kroatët kërcënuan portën e Akinfeev që në minutën e 8-të me Rebic, i cili provoi me një goditje të fortë në zonë, që përfundoi shumë jashtë kuadratit. Në minutat në vijim të dyja skuadrat kontrollojnë lojën, duke mbyllur hapësirat. Në mesin e pjesës së parë, Perisic tentoi me një goditje me kokë, e cila përfundoi jashtë kuadratit. Në momentin më të mirë të kroatëve, vendasit surprizojnë duke gjetur golin e avantazhit me Cheryshev në minutën e 31-të.
Një nga futbollistët më të spikatur të turneut, bëri një ekzekutim fantastik pas një gjuajtje shumë të fortë në hyrje të zonës, e cila përfundoi në trekëndësh. Avantazhi zgjati vetëm 8 minuta, pasi ekipi i Dalic vendosi menjëherë baraspeshën. Mario Mandzukic me një aksion të bukur në krahun e majtë, ka dhënë një asist perfekt për Kramaric, i cili e ka pasur të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që e dyta nisi me kroatët më të vendosur në sulm, teksa Kramaric dha menjëherë sinjalin me një tentativë të bukur me roveshatë në hyrje të zonës. Në minutën e 59-të, Kroacia ju afrua shumë pranë golit me Perisic, i cili goditi shtyllën pasi u harrua nga mbrojtja ruse brenda zonës. Në minutën e 72-të Aleksandr Erokhin kishte një mundësi të artë, teksa kërceu mjaft mirë në zonë, por goditja e tij me kokë përfundoi jashtë kuadratit. Smolov në minutën e 4-t shtesë ju afrua golit me një goditje të fortë të Smolov që u ndal nga portieri Subasic.
Koha shtesë nisi më mirë për kroatët, të cilët u hodhën në sulm, edhe pse portieri Subasic vijoi të kishte shqetësime muskulore, ndërkohë që Vrsaljko la fushën e lojës duke u zëvendësuar. Skuadra e Dalic u shpërblye, duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 101-të. Pas një goditje nga këndi, Vida ka kërcyer mbi të gjithë duke arritur që të shënojë një gol shumë të rëndësishëm. Gjithsesi Rusia nuk u dorëzua, duke gjetur sërish golin e barazimit në minutën e 115-të, me Fernandez, i cili kërceu mjaft mirë brenda zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës e Subasic, i cili më në fund u dorëzua pas një serie pritjesh. Në ruletin e penalltive, portieri kroat dhuron spektakël duke ndalur Smolov, ndërkohë që Akinfeev ju kundërpërgjigj duke ndalur Kovacic. Vendimtare në ruletin e penalltive ishte gabimi i heroit të rusëve në kohën shtesë, Fernandez, i cili goditi jashtë kuadratit.
KOHA JONË SONDAZH

